“Jepi Putinit Donbasin ose do të të shkatërrojë”/Trump kërcënoi Zelenskyn në tavolinë

“Financial Times” shkruan se në takimin e pak ditëve më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i bëri thirrje kreut të shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të pranojë kushtet e Rusisë për t’i dhënë fund luftës.

Ai e paralajmëroi Zelenskyn se diktatori rus, Vladimir Putin do ta “shkatërronte” Ukrainën nëse udhëheqësi ukrainas nuk binte dakord.

“Financial Times” shkruan se këtë e ka konfirmuar nga persona që ndodheshin brenda takimit.

Sipas tyre, takimi midis presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës u shndërrua vazhdimisht në një “përplasje britmash” gjatë së cilës Trump “vazhdimisht shante”.

Ata shtuan se Trump hodhi poshtë hartat e vijës së frontit në Ukrainë dhe këmbënguli që Zelensky t’i jepte Putinit të gjithë Donbasin, dhe përsëriste vazhdimisht kërkesat e Putinit.

“Edhe pse ukrainasi në fund arriti ta bindte Trumpin të përsëriste mbështetjen e tij për ngrirjen e vijave aktuale të frontit, takimi i ashpër dukej se pasqyronte ndryshimin e qëndrimit të Trumpit”, – shkruan gazeta.

Mbrëmjen e 16 tetorit, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin.

Ata diskutuan luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe ranë dakord se do të takohen brenda dy javësh në Budapest.

Sipas mediave, gjatë bisedës me Trump, ishte Putin ai që shprehu kërkesën që Ukraina të heqë dorë plotësisht nga kontrolli i rajonit të Donetskut.

Vetëm me këtë kusht ai thuhet se është gati të përfundojë luftën, kondirmuan dy zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

As Shtëpia e Bardhë dhe as zyra e presidentit ukrainas nuk kanë lëshuar një njoftim zyrtar dhe të dyja refuzuan të komentojnë për mediat mbi këto zhvillime.


Shtuar 19.10.2025 21:18