Izraeli thotë se është në bisedime me disa shtete për zhvendosjen e palestinezëve

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është në bisedime me disa shtete për pranimin e palestinezëve të zhvendosur për shkak të luftës në Gazë.

Shtetet e përfshira janë Sudani Jugor, Somalilandi, Etiopia, Libia dhe Indonezia, ka thënë një zyrtar izraelit për CNN-in.

Në këmbim të pranimit të palestinezëve, zyrtari ka thënë se shtetet po kërkojnë “kompensim financiar”.

Të mërkurën Sudani Jugor mohoi se ishte në diskutime për zhvendosjen e palestinezëve, duke thënë se raportimet ishin të pabaza dhe se nuk kishte qëndrim zyrtar për këtë. Edhe Somalilandi pati thënë në fillim të vitit se nuk ekzistonin bisedime të tilla.

Javën e kaluar, Indonezia ka deklaruar se është e gatshme të pranojë 2,000 palestinezë nga Gaza për trajtim, por se ata duhet të ktheheshin në Gazë sapo të kryenin trajtimin.


Shtuar 14.08.2025 23:31