Ushtria e Izraelit ka thënë të martën se e ka kryer sulme ajrore kundër rebelëve Huthi në Jemen, dhe se e ka çaktivizuar plotësisht aeroportin ndërkombëtar të vendit në kryeqytetin Sana.
Këto sulme u kryen një ditë pasi ushtria izraelite e goditi portin e Hudejdës si përgjigje ndaj sulmit raketor që rebelët Huthi e kryen në afërsi të aeroportit kryesor të Izraelit.
Kanal satelitor i rebelëve Huthi që mbështeten nga Irani, al-Masirah, raportoi për sulmet, duke konfirmuar se aeroporti është goditur. Sipas ushtrisë izraelite, u goditën edhe disa termocentrale.
Pamje të transmetuara në televizionin izraelit shfaqën tym të zi dhe dendur që ngrihej mbi qiellin e Sanas. Video të postuara në rrjetet sociale duket se shfaqin disa shpërthime përreth qytetit. Nuk dihet tani për tani nëse ka viktima.
Sulmi ndodhi pak pasi ushtria izraelite paralajmëroi në rrjetet sociale njerëzit të largoheshin nga pjesët përreth aeroportit kryesor të kryeqytetit të Jemenit, Sana.
“Ju bëjmë thirrje të largoheni menjëherë nga zona e aeroportit dhe të paralajmëroni këdo që ndodhet aty pranë që të largohet menjëherë”, shkroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në rrjetet sociale.
Ai e publikoi një hartë të zonës përreth Aeroportit Ndërkombëtar të Sanas, ku shkroi “duke mos u larguar e rrezikoni jetën tuaj”.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se ky sulm duhet të shihet si një paralajmërim për “kokën e oktapodit iranian”, për të cilin ai tha se mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sulmet e rebelëve Huthi ndaj Izraelit.
Tensionet janë përshkallëzuar mes Izraelit dhe rebelëve Huthi të Jemenit, sepse grupi i lidhur me Iranin po vazhdon të kryejë sulme si përgjigje ndaj zgjerimit të operacioneve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Izraeli e sulmoi portin e Hudejdës në Jemen të hënën, duke i vrarë katër njerëz dhe duke i plagosur 39 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Huthi.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua për hakmarrje pasi një raketë e lëshuar nga rebelët Huthi ra pranë Aeroportit Ben Gurion të Izraelit.
Sulmoi i detyroi kompanitë ajrore evropiane dhe amerikane t’i pezullojnë fluturimet drejt Tel Avivit për disa ditë.
Rebelët Huthi kanë kryer sulme ndaj Izraelit dhe anijeve në Detin e Kuq që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, siç thonë ata, në shenjë solidariteti me palestinezët.
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL