Izraeli s’di të ndal sulmet, 60 persona humbin jetën gjatë 24 orëve të fundit në Gaza

Të paktën 60 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës gjatë një periudhe 24-orëshe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Viktimat përfshijnë gra dhe fëmijë, ndërsa situata humanitare në enklavën palestineze përkeqësohet çdo ditë.

Spitalet Nasser, Al-Aqsa dhe Al-Ahli raportuan se trupat e pajetë u sollën nga zona të ndryshme të territorit, përfshirë qytetin jugor të Khan Younis, qytetin qendror Deir al-Balah dhe kampin e refugjatëve Jabaliya në veri.

Ofensiva ushtarake izraelite ka nxitur kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkon ndalimin e sulmeve dhe garantimin e qasjes së ndihmave humanitare në territorin e rrethuar.

Kujtojmë se për më shumë se tre muaj, Gaza është nën një bllokadë të plotë izraelite, gjë që ka shkaktuar mungesa ekstreme të ushqimit, ujit dhe ilaçeve.


Shtuar 23.05.2025 22:32

Tags: ,