Izraeli rifillon dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, IDF: Nuk ka zi buke këtu, është fushatë e rreme e promovuar nga Hamasi

Ushtria izraelite ka nisur të hedhë ndihma humanitare nga ajri në Gaza mbrwmjen e sotme. Burime palestineze konfirmuan se pakot kishin filluar të binin në Rripin verior të Gazës. Sipas ushtrisë, hedhjet nga ajri përfshinin shtatë paleta me artikuj të tillë si sheqer, miell dhe ushqim të konservuar, të ofruar nga organizatat ndërkombëtare.

“IDF thekson se nuk ka zi buke në Rripin e Gazës. Kjo është një fushatë e rreme e promovuar nga Hamasi”, shtoi deklarata e ushtrisë. “Përgjegjësia për shpërndarjen e ushqimit për popullsinë e Gazës i takon OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës. Prandaj, ne presim që OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare të përmirësojnë efikasitetin e shpërndarjes së ndihmës dhe të sigurojnë që ndihma të mos përfundojë te Hamasi”, vazhdoi deklarata.

Izraeli është përballur me kritika të ashpra nga agjencitë e ndihmës, të cilat e kanë akuzuar atë për kufizimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare. Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e ka përshkruar krizën si një “zi masive të shkaktuar nga njeriu”.

Izraeli, i cili ndërpreu furnizimet për Gazën në fillim të marsit, por i rifilloi ato pjesërisht në maj, thotë se është i përkushtuar të lejojë ndihmën, por duhet ta monitorojë atë për të parandaluar plaçkitjen e saj nga grupet e armatosura. Ai thotë se ka lejuar ushqim të mjaftueshëm në Gaza gjatë luftës dhe fajëson Hamasin për gjendjen e vështirë të 2.2 milionë banorëve të enklavës.

Izraeli gjithashtu akuzon Kombet e Bashkuara se nuk kanë vepruar në kohë, duke thënë se 700 dërgesa ndihmash janë në Gaza, por nuk janë shpërndarë. Më shumë se 125 njerëz kanë vdekur nga kequshqyerja, dhe 85 prej tyre ishin fëmijë, njoftoi më parë Ministria e Shëndetësisë e Gazës.


Shtuar 26.07.2025 23:30

Tags: ,