Izraeli mund të sulmojë objektet bërthamore të Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë marrë informacione që dëshmojnë se Izraeli po përgatitet për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit, pavarësisht përpjekjeve diplomatike të administratës Trump për të negociuar një marrëveshje me Teheranin.

Lajmi është bërë publik nga CNN, ku citohen burime të shumta të inteligjencës amerikane, të cilat paralajmërojnë se një sulm i tillë do të rrezikonte përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas zyrtarëve amerikanë, nuk është e qartë nëse qeveria izraelite ka marrë një vendim përfundimtar.

Cnn shkruan se brenda administratës amerikane ka mosmarrëveshje lidhur me mundësinë që Izraeli të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Iranit.

Duket se sulmi varet nga negociatat amerikane me Iranin mbi programin bërthamor, të cilat aktualisht janë në ngërç.

Shqetësimet u shtuan edhe nga lëvizjet e inteligjencës izraelite, përfshirë mobilizimin e municioneve ajrore dhe përfundimin e stërvitjeve ushtarake.

Megjithatë, disa burime të tjera për CNN theksojnë se këto lëvizje mund të kenë si qëllim presionin ndaj Iranit, në mënyrë që ky i fundit të heqë dorë nga kërkesat kryesore në programin e tij bërthamor.

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake nëse negociatat për një marrëveshje bërthamore me Iranin dështojnë.


Shtuar 21.05.2025 15:51

Tags: ,