Izraeli dhe SHBA-ja paraqesin plan të ri për armëpushim, Hamasi refuzon dhe akuzon sabotim

Izraeli ka prezantuar një plan të ri armëpushimi me Hamasin, të ideuar nga SHBA, i cili është i ndryshëm nga ai për të cilin u ra dakord në janar. Ky plan ka për qëllim të detyrojë Hamasin ta pranojë atë duke vendosur një rrethim në Rripin e Gazës. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e quajti këtë ide “propozimi WItkoff”, duke theksuar se ai ka ardhur nga i dërguari i Presidentit të SHBA, Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ende nuk ka konfirmuar këtë, duke thënë se mbështet çdo veprim që Izraeli ndërmerr.

Ky plan i ri kërkon nga Hamas të lirojë gjysmën e pengjeve të mbetura në këmbim të një zgjatjeje të armëpushimit dhe një premtimi për të negociuar një armëpushim afatgjatë. Ndërkohë, Izraeli nuk përmendi lirimin e më shumë të burgosurve palestinezë, një element kyç i armëpushimit të fazës së parë.

Hamas ka akuzuar Izraelin për tentativë sabotimi të marrëveshjes ekzistuese, që kërkonte negociata për kthimin e pengjeve dhe lirimin e të burgosurve palestinezë, një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza dhe një armëpushim të qëndrueshëm.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Izraeli ka ndaluar të gjitha furnizimet, përfshirë ushqimet, karburantet dhe ilaçet, që shkojnë për popullsinë e Gazës, e cila përbëhet nga rreth 2 milionë banorë, dhe ka kërcënuar me “pasoja shtesë” nëse Hamas nuk pranon propozimin e ri.


Shtuar 3.03.2025 23:14

Tags: ,