Propozimi i SHBA-së që synon t’i japë fund luftës në Rripin e Gazës është një “marrëveshje e shkëlqyer” për Izraelin, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Hamasi u përgjigj pozitivisht të premten, duke thënë se pranon disa nga 21 pikat e propozimit, duke përfshirë përfundimin e luftës, tërheqjen e forcave izraelite dhe shkëmbimin e pengjeve me të burgosurit palestinezë.
Trump paralajmëroi se negociatat për lirimin e pengjeve mund të zgjasin “disa ditë”.
“Ata po negociojnë tani. Ata kanë filluar negociatat. Kjo do të zgjasë disa ditë”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të shohim se si do të përfundojë kjo. Por kam dëgjuar se po shkon shumë mirë”, shtoi ai.
Më parë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Hamasi kishte pranuar “në parim” kushtet e asaj që do të ndiqte pas përfundimit të luftës në Gaza, por paralajmëroi se zbatimi i fazës së dytë të marrëveshjes, që ka të bëjë me çarmatimin e saj, nuk do të ishte i lehtë.
Duke folur për rrjetin amerikan NBC, Rubio vuri në dukje se “do të bëhet e qartë shumë shpejt nëse Hamasi është vërtet serioz, varësisht se si do të zhvillohen bisedimet teknike dhe diskutimi mbi çështjet operacionale”.
Nesër, të hënën, në Egjipt pritet të fillojnë negociatat indirekte për lirimin e pengjeve.
Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ekipin negociator të niset për në Egjipt për të marrë pjesë në bisedime të reja për lirimin e pengjeve, njoftoi zyra e tij. Sipas njoftimit, misioni do të drejtohet nga Ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer. Dermer do të udhëheqë delegacionin, pas raportimeve se ai do të shkojë vetëm nëse do të ketë përparim të konsiderueshëm në negociata.
Ekipi izraelit pritet të niset për në Egjipt nesër, me bisedimet që do të zhvillohen përfundimisht në Sharm el-Sheikh dhe jo në Kajro, siç ishte planifikuar fillimisht.
Ndërkohë, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, tha sot se luftimet do të vazhdojnë në Rripin e Gazës nëse negociatat për t’i dhënë fund luftës dështojnë.
“Nuk ka armëpushim, por një ndryshim në situatën operative: politikanët po përdorin mjetet dhe sukseset që keni pasur në terren për t’i përkthyer ato në përfitime diplomatike. Nëse kjo përpjekje dështon, ne do të rifillojmë luftimet”, tha Zamir, duke folur para ushtarëve në Rripin e Gazës.