Italia pritet të sjellë të mërkurën rreth 100 emigrantë të dëbuar në Kampin e Gjadrit

Rreth 100 emigrantë të dëbuar nga Italia pritet të mbërrijnë mëngjesin e të mërkurës në Portin e Shëngjinit, për t’u sistemuar më pas në kampin e Gjadrit. Lëvizja bëhet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Giorgia Meloni.

Ky kontingjent do të transferohet në bazë të draft-ligjit të ri të miratuar nga qeveria Meloni, i cili e kthen funksionin e këtyre kampeve në qendra për riatdhesimin e emigrantëve që kanë marrë urdhër dëbimi nga territori italian.

Kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në kampet shqiptare parashikohet të jetë deri në 18 muaj.

Pak javë më parë, qeveria italiane ndryshoi tërësisht planet për dy qendrat e emigrantëve të ndërtuara në Shqipëri. Fillimisht këto struktura ishin projektuar për të strehuar emigrantët në pritje të shqyrtimit të kërkesës për azil.

Por përballë pengesave gjyqësore që çonin në rikthimin e emigrantëve në Itali, autoritetet italiane vendosën që kampet në Gjadër dhe Shëngjin të shndërrohen në burgje të përkohshme për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, në një intervistë të datës 25 mars 2025, konfirmoi një ulje të ndjeshme të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në Itali, duke e lidhur këtë me politikat parandaluese të qeverisë. Ai theksoi se qendrat në Shqipëri mund të përdoren për forcimin e sistemit të riatdhesimit.

Ministri propozoi që këto qendra, të cilat deri më tani nuk janë vënë në funksion, të shndërrohen në Qendra të Paraburgimit për Riatdhesim (CPR), duke lejuar kthimin e emigrantëve të parregullt në vendet e tyre të origjinës, pa të drejtë qëndrimi në territorin italian.

Ndërtimi i kampit në Gjadër ka qenë një vendim i marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama, i cili firmosi marrëveshjen me kryeministren Meloni, pa u zhvilluar asnjë konsultim me komunitetin vendor në qarkun e Lezhës.


Shtuar 8.04.2025 21:57