Dëshmitar i ngjarjes së rëndë të një dite më parë në metronë e Bruklinit në New York, ishte dhe një i ri shqiptar, Fitim Gjeloshi.
Ai rrëfeu për mediat vendase se kishte qenë përballë me të dyshuarin e ulur në qoshe, dhe kishte vënë re se po fliste me vete.
“E pashë dhe mendova: Ky nuk duhet të jetë në rregull, duhet të jetë i droguar. Kur treni pati një ndalesë të shkurtër, ai papritmas nxori një kundragaz dhe hapi një bombol. Thashë kjo nuk është e gjë e mirë. Pastaj nxori nga çanta një sëpatë, e la atë dhe mori pushkën”, tha Fitim Gjeloshi.
Policia e konfirmoi se përpara se të shtinte personi i armatosur kishte hedhur tym në metro. Gjeloshi rrëfen se agresori e kishte qëlluar atë të parin, por fatmirësisht plumbi nuk e kapi. “Personi ngjitur me mua u plagos e po kërkonte ndihmë, e pastaj nisi të godasë dhe të tjerët”, kujton i riu. Në total, mbi 20 persona mbetën të plagosur, megjithatë asnjeri prej tyre nuk është në rrezik për jetën. “Unë isha me fat.
E gjitha qe një çmenduri. U tremba për vdekje”, shton Gjeloshi ende i tronditur. Autori i sulmit nuk është kapur ende. Policia dyshon se pistoleta e tij Glock 9 milimetërshe ngeci, duke parandaluar kështu kjo tragjedi të kishte pasoja edhe më të mëdha.
Forcat e rendit shpallën persona me interes 62 vjeçarin Frank R James, i cili më parë kishte postuar video shqetësuese në rrjet ku fliste me indinjatë për të pastrehët dhe për kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams. Një çmim prej 50 mijë dollarësh është ofruar për atë që ofron të dhëna të cilat mund të çojnë në arrestimin e sulmuesit.