Ish-deputeti i Vetëvendosjes ndalohet nga autoritetet serbe në Merdarë, Ministria e Jashtme njofton Zyrën e BE dhe misionet diplomatike

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë me dije këtë të hënë se ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli është ndaluar sot nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.

Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.

MPJD i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Agushollit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin.

MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast. Çdo informacion i ri do të shpërndahet menjëherë pas konfirmimit zyrtar”, thuhet në njoftimin e MPJD.

Ndalimi i Agushollit është bërë në orën 09:00 të mëngjesit të kësaj të hëne dhe ai është mbajtur i ndaluar për orë të tëra nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë, gjatë udhëtimit të tij drejt Sllovenisë.

Tani, ai raportohet se është liruar, pas shumë orësh presioni dhe pa asnjë shpjegim zyrtar mbi arsyen e ndalimit.


Shtuar 26.05.2025 16:57

Tags: ,