Irani mohon se ka vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit: Nuk është e vërtetë

Zëvendësministri i jashtëm i Iranit, ka hedhur poshtë akuzat nga SHBA dhe ka deklaruar se vendi i tij, nuk ka vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit.

“Aspak. Kjo nuk është e vërtetë”, tha Majid Takht Ravanchi kur u pyet në lidhje me pretendimet e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për sulmet ndaj “28 anijeve iraniane që vendosin mina”.

Ndërsa Irani ka bllokuar kryesisht transportin detar përmes Ngushticës, zëvendësministri iranian tha se “vendet” kanë kërkuar qasje dhe “ne kemi bashkëpunuar me to”.

“Disa vende e kanë diskutuar tashmë çështjen e kalimit nëpër ngushticë me ne dhe ne kemi bashkëpunuar me to”, tha ai në një intervistë në Teheran.

Po ashtu ai kërcënoi vendet që janë në konflikt me të, teksa tha se nuk duhet të përfitojnë nga kalimi i sigurt nëpër ngushticë.

“Sa i përket Iranit, ne besojmë se vendet që morën pjesë në veprimin agresiv nuk duhet të përfitojnë nga kalimi i sigurt nëpër ngushticë”, shtoi ai.


Shtuar 12.03.2026 18:30