Intensifikohen sulmet në Iran, Trump paralajmëron për vdekjen “e civilizimit”

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se “një civilizim i tërë do të vdesë sot” nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara para se afati që ai vendosi, të skadojë sot, teksa janë intensifikuar sulmet ajrore ndaj caqeve në Iran.

“Një civilizim i tërë do të vdesë sot, dhe nuk do të ringjallet më”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social më 7 prill. “Unë nuk dua që kjo të ndodhë, por me gjasë do të ndodhë”.

Të lidhura

None found

Kërcënimi i Trumpit vjen pas paralajmërimeve të tij se Shtetet e Bashkuara do të godasin termocentralet dhe urat në Iran, deklarata që zyrtarët iranianë i përshkruan si kërcënime që përbëjnë “krime lufte”, megjithëse disa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare e kundërshtojnë këtë vlerësim.

Kërcënimi i ri vjen gjithashtu vetëm disa orë pasi sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit goditën disa lokacione në të gjithë Iranin, përfshirë infrastrukturën dhe ishullin strategjik Harg.

Mediat iraniane raportuan për shpërthime në gjithë Teheranin më 7 prill, ndërsa disa raportime thanë se janë parë aeroplanë luftarakë që fluturuan në lartësi të ulët mbi kryeqytetin iranian.

Po ashtu u raportua për sulme në ishullin Harg të Iranit, nga ku dërgohen rreth 90 për qind e eksporteve të naftës së vendit, si dhe në ura kryesore në autostradën Tabriz–Zanjan dhe në një tjetër pranë qytetit të shenjtë Kom.

Disa media, përfshirë CNN, Reuters dhe Fox News, cituan zyrtarë amerikanë që konfirmuan sulmet në ishullin Harg. The Wall Street Journal raportoi se “më shumë se 50 objektiva ushtarake” u goditën gjatë sulmeve.

Para komenteve të Trumpit, Garda Revolucionare Islamike përmes një deklarate, të lëshuar disa minuta para se të raportohej për sulme, se do të shënjestrojë infrastrukturën amerikane dhe atë të aleatëve në të gjithë rajonin nëse SHBA-ja kalon “vijat e kuqe”.

Garda po ashtu paralajmëroi partnerët amerikanë në Gjirin Persik dhe më tej, duke thënë se ka mbaruar frenimi ndaj shteteve fqinje, duke sinjalizuar që shtetet arabe të Gjirit që kanë asete ushtarake amerikane mund të shndërrohen në shënjestra.

Deklarata shënon një ndryshim në pozicionin e Iranit. Teksa Teherani më parë ka goditur objektiva në disa vende të rajonit, deri më tani kishte mbajtur qëndrimin se ato shtete vetë nuk ishin shënjestra – një dallim nga i cili tani duket se ka hequr dorë.

Ndër objektet e goditura në qendër të Teheranit ishte edhe një sinagogë, sipas mediave iraniane.

Homayoun Sameyah, përfaqësues i komunitetit hebre në Parlamentin iranian, i tha mediave shtetërore se ndërtesa ishte “e lashtë” dhe “e shenjtë”, dhe se pjesë të Torës janë nën rrënoja.

Trump i ka vendosur afat Iranit deri në orën 20:00 sipas kohës lindore në SHBA, më 7 prill, duke paralajmëruar se “i gjithë” Irani “mund të shkatërrohet brenda një nate”.

Duke folur në Budapest më 7 prill, pas takimit me kryeministrin hungarez Viktor Orban, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se administrata i kishte përmbushur në masë të madhe qëllimet e saj ushtarake në këtë fushatë dhe se ishte “i bindur” që Uashingtoni do të marrë një përgjigje nga Teherani para skadimit të afatit.

Ndërkaq, paralajmërimi i Trumpit në konferencën për media në Shtëpinë e Bardhë më 6 prill u fokusua te kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyç për transportin global të naftës. Irani u kundërpërgjigj duke refuzuar.

Teherani paraqiti një propozim paqeje me 10 pika përmes ndërmjetësve pakistanezë, por plani refuzoi një armëpushim të përkohshëm dhe, në vend të kësaj, kërkoi një përfundim të përhershëm të armiqësive. Ai përfshin kushte që ishin të pamundura për t’u pranuar nga Shtetet e Bashkuara ose Izraeli. Sipas raportimit të The New York Times, propozimi nuk mund të zgjidhte çështjet kryesore para skadimit të afatit.


Shtuar 7.04.2026 17:27

Tags: ,