Kongresmenja Nancy Pelosi ka njoftuar dorëheqjen e saj nga Kongresi, duke i dhënë fund një karriere dhjetëra-vjeçare që e bëri atë një nga figurat më të fuqishme në politikën amerikane.
Në një videomesazh, Pelosi tha se nuk do të kandidojë për rizgjedhje në Kongres në fund të mandatit të saj në janar 2027.
Kjo shënon fundin e një karriere të pasur politike, pasi Pelosi, u bë gruaja e parë që shërbeu si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve dhe udhëhoqi partinë e saj në dhomën e ulët të Kongresit nga viti 2003 deri në vitin 2023.
“Ne kemi bërë histori, kemi bërë përparim”, tha Pelosi në mesazhin e saj. “Ndërsa ecim përpara, mesazhi im për qytetin që dua është ky: San Francisko, njihe fuqinë tënde”, shtoi ajo.
Ajo u bë gruaja e parë që shërbeu si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2007. Kongresmenja demokrate njihet si organizuesja e miratimit të legjislacionit të kujdesit shëndetësor të nënshkruar nga ish-Presidenti Barack Obama, si dhe i projektligjeve për infrastrukturën dhe ndryshimet klimatike nën drejtimin e ish-presidentit Joe Biden.
Pelosi gjithashtu do të mbahet mend gjatë si gruaja që sfidoi Trump, duke grisur prapa kurrizit të tij, një kopje të fjalimit të tij për Gjendjen e Kombit.
