I mbijetuari i vetëm i tragjedisë ajrore në Indi, 40-vjeçari i jep lamtumirën mes lotësh vëllait që u vra pas përplasjes së avionit

Në një pamje që tronditi shumëkënd, Vishwash Kumar Ramesh, i vetmi që arriti të mbijetojë nga përplasja fatale e avionit në Indi, ka shoqëruar sot arkivolin e vëllait të tij, i cili humbi jetën në të njëjtin fluturim.

Me plagët ende të freskëta dhe fytyrën e mbuluar me fasha, Ramesh u pa duke mbajtur trupin e vëllait të tij në ceremoninë mortore, një akt i rëndë dhe prekës që shënon dhimbjen e thellë të një njeriu që ka humbur gjithçka, por ka mbetur gjallë.

Avioni Boeing 787-8 Dreamliner, që ishte nisur drejt Londrës, u rrëzua pak sekonda pas ngritjes nga qyteti indian Ahmedabad, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 270 personave, përfshirë 241 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, si dhe 30 njerëz në tokë. Ramesh, 40 vjeç, ishte ulur në vendin 11A dhe vëllai i tij disa rreshta më tutje.

Askush ende nuk e kupton plotësisht si i mbijetoi ai kësaj tragjedie. Një dëshmitar nga ekipi i ndihmës së parë tha se Ramesh kishte tentuar të rikthehej mes flakëve për të kërkuar të afërmin e tij, pa e ditur ende fatin tragjik që e kishte zënë atë.


Shtuar 18.06.2025 18:11