I izoluar, paranojak, Putin po sillet dhe gjithnjë e më shumë si Stalini në vitet e fundit të jetës

Nga Andrei Kolesnikov “Foreign Affairs”

Sa më i ashpër dhe më represiv që bëhet regjimi i presidentit rus Vladimir Putin, aq më i suksesshëm u duket sundimi i Stalinit rusëve të zakonshëm. Në 5 vitet para 2021-it, numri i rusëve që ishin dakord me pohimin se “Stalini ishte një udhëheqës i madh” u dyfishua nga 28 në 56 për qind, sipas sondazheve të kryera nga Qendra Levada.

Gjatë të njëjtës periudhë, numri i atyre që nuk pajtoheshin me atë deklaratë ra nga 23 në 14 për qind. Që nga viti 2015, Stalini është lavdëruar nëpër festat kombëtare, ndërsa debati mbi krimet e tij është censuruar. Aq i madh është sot interesimi për diktatorin sovjetik, saqë ndonjëherë duket sikur po konkurron me Putinin.

Por ka më shumë të ngjarë që ai të shërbejë si një “dorë ndihmëse” nga e kaluara e largët, për ta siguruar se është në rrugën e duhur kolegun e tij të ditëve moderne. Dhe nuk është vetëm se sundimi i hekurt i Stalinit, ai që është bërë model për Kremlinin e sotëm.

Gjithnjë e më shumë, vetë Putin po i ngjan Stalinit në vitet e tij të fundit, kur udhëheqësi sovjetik vuante nga nivelet më të larta të paranojës. Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, Stalini kishte qenë në pushtet për më shumë se 20 vjet.

Që nga ajo kohë dhe deri në vdekjen e tij në vitin 1953, ai e çoi regjimin e tij në ekstreme të reja autokratike:shtim i intolerancës ndaj opinioneve të njerëzve të tjerë; dyshim i vazhdueshëm ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë; brutalitet i dukshëm dhe ide iluzive dhe obsesive.

Ashtu si Stalini në vitet e fundit, edhe Putini ka kaluar më shumë se 20 vjet në pushtet (përfshirë periudhën si kryeministër në vitet 2008-2012), dhe në mandatin e tij aktual presidencial, që nisi në vitin 2018, ka treguar të njëjtat simptoma.

Gjatë kësaj kohe, ai e ka ndryshuar kushtetutën ruse për të zgjatur qëndrimin në pushtet, dhe ka nisur një luftë me pasoja shkatërruese për mbarë botën.

Aktualisht, Rusia është shndërruar plotësisht në një autokraci personale. Ngjashmëritë midis Putinit dhe Stalinit fillojnë që me stilin dhe modelin e tyre të udhëheqjes. Ashtu si për Stalinin, edhe për Putinin, procesi i vendimmarrjes fokusohet vetëm tek një person.

Bashkëpunëtorët dhe këshilltarët nuk kanë pothuajse asnjë aftësi për të ndikuar mbi tiranin apo për të propozuar veprime alternative. Epoka aktuale ka jo vetëm pak ngjashmëri me mënyrën se si bëhet politika në sistemet demokratike apo edhe në regjimet gjysmë-autoritare; por është shumë larg udhëheqjes kolektive të periudhave të tjera të historisë sovjetike, siç është epoka e Leonid Brezhnev.

Në një farë mënyre, Putini madje e ka tejkaluar idhullin e tij në personalizimin e sundimit të tij. Për shembull, Stalinit, i pëlqente të fliste në vetën e parë shumës:”Do të të qëllojmë!”. Edhe Putinit i pëlqen të flasë në emër të vendit ose elitave. Por në tetor, kur u pyet nëse i vinte keq për ndonjë gjë nga “operacioni special” në Ukrainë, ai e pranoi se lufta ishte projekti i tij personal. “Në atë kohë veprimet e mia ishin të duhurat!”- tha ai.

Po ashtu, Putin ka mësuar nga diktatori sovjetik se si të sillet me regjimin e tij. Në fund të jetës së tij, Stalini ishte gjithnjë e më dyshues për rrethin e tij të brendshëm. Ai shfrynte shpeshherë dufin ndaj bashkëpunëtorëve të ngushtë si Vyacheslav Molotov, Ministri i Jashtëm dhe zëvendësi i tij për një kohë të gjatë.

Ndërkohë në vjeshtën e vitit 1945, pasi u rikthye në Moskë pas një mungese disa-javore, Stalini kritikoi ashpër njerëzit që dikur dukeshin si më besnikët – Lavrenty Beria, shefin e policisë sekrete, Georgy Malenkov, anëtarin më me ndikim të Byrosë Politike, Anastas Mikoyanin, Ministrin e tregtisë dhe Molotov – sepse kishin lejuar Pravda-n të botonte fragmente të një fjalimi të kryeministrit britanik Ëinston Churchill.

Molotov mori përgjegjësinë për botimin, dhe pas atij episodi, figura e dytë më e shquar e Bashkimit Sovjetik nuk shihej më si pasardhëse e diktatorit. Ashtu si Stalini, Putini ka një kontroll të plotë mbi elitat ruse, duke i paralizuar ato nga frika, edhe pse ato e urrejnë fshehurazi sundimtarin e tyre.

Elitat e sotme i frikësohen Putinit, por i frikësohen edhe më shumë njëri-tjetrit, ashtu si paraardhësit e tyre nën Stalinin. Ashtu si diktatori sovjetik, edhe Putin preferon të qëndrojë i vetmuar në rezidencat e tij të shumta, ku është izoluar si në nivel politik ashtu edhe në atë njerëzor.

Për shembull marrim rezidencën e Putinit në Soçi, ku ai kalon gjithnjë e më shumë kohë. Ajo të kujton shtëpinë shumë më modeste, por aq të ruajtur po me kujdes në Abkhazi, në të cilën Stalini pushonte në tetorin e vitit 1945 pasi pësoi ose një goditje në tru ose një atak në zemër.

Po ashtu si Stalini, Putini nuk ka ndërmarrë asnjë hap drastik kundër anëtarëve të rrethit të tij të ngushtë. Por acarimi i tij me fjalët dhe veprimet e tyre të kujton atë të Stalinit. Shumëkujt i kujtohet takimi televiziv famëkeq që Putin zhvilloi me këshilltarët e tij të lartë të sigurisë kombëtare në prag të pushtimit rus të Ukrainës.

I ulur i vetëm në një tavolinë në një sallë të madhe me kolona, me këshilltarët e tij të vendosur në një cep të largët të sallës, Putini poshtëroi publikisht shefin e tij të inteligjencës së jashtme, Sergei Naryshkin, pasi ai foli para kohe për aneksimin e republikave separatiste të të Ukrainës Lindore.

Në po atë njëjtin takim, Putin pati një përplasje verbale me Dmitry Kozak, një bashkëpunëtor i vjetër,që kishte qenë përgjegjës për negociatat me Ukrainën për zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut. Pas takimit, Kozak u zhduk tërësisht nga skena.

Në shtator, disa njerëz pranë Kremlinit zbuluan për Reuters se përpara “operacionit special”, Kozak kishte marrë një premtim nga Ukraina se nuk do t’i bashkohej NATO-s, gjë që do të kishte zgjidhur një nga shqetësimet kryesore që justifikonte pushtimin rus. Por Putini nuk ishte i interesuar për atë pakt:ai ishte vendosur tashmë të niste luftën.

Përdorimi i forcës ushtarake për të zgjidhur problemet – diçka që duket si gati anakronike në shekullin XXI – është një tjetër taktikë që Putini trashëgoi nga Stalini. Për Putinin, historia është bërë një instrument kyç për të mbështetur sundimin e tij dhe për të kontrolluar vendin, ashtu siç ishte edhe për Stalinin.

Shembujt e Ivanit të Tmerrshëm dhe Pjetrit të Madh, personifikojnë respektivisht mizorinë dhe imperializmin. Ashtu si Stalinin në vitet e para të Luftës së Ftohtë, Putin i ka ndërprerë marrëdhëniet me Perëndimin dhe ka filluar të portretizojë çdo gjë të huaj si të papajtueshme me ideologjinë dhe vlerat ruse.

Sovjetikët që Stalini i quajti “kozmopolitë pa rrënjë”, të cilët u pushuan nga puna dhe u persekutuan, janë pasuar në Rusinë e Putinit nga ata që etiketohen si “agjentë të të huajve”, dhe që janë si emigrantë në vendin e tyre. Në kohën e Stalinit, lidhjet me të huajt mund ta çonin një njeri në burg.

Në tetor të këtij viti, Rusia e Putinit nisi të zbatojë një ligj të ri – tërësisht stalinist në frymën dhe formulimin e tij të paqartë – “për bashkëpunimin konfidencial me një shtet të huaj”. Ashtu si në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, të krijohet përshtypja se Rusia nuk ka sot asnjë alternativë ndaj Putinit.

Pra duket se është e kotë ta kundërshtosh atë. Ndaj elitat ruse duhet të veprojnë sipas kësaj logjike. Ashtu si elitat nën Stalinin, ato shpresojnë që tirani të vdesë përpara se të ketë kohë t’i burgosë apo vrasë. Por megjithëse po i afrohet moshës së Stalinit kur ndërroi jetë, Putini duket më i shëndetshëm, dhe duket se do të jetë më gjatë.

Gjithsesi këtu ka një leksion vendimtar për Putinin:urrejtja dhe frika ndaj Stalinit gjatë viteve të tij të fundit ishin aq të forta, saqë kur pësoi goditjen e fundit në tru, në orët kur ndoshta mund të shpëtohej, bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk i erdhën në ndihmë. Dhe në agoninë e tij, ai vdiq praktikisht i vetmuar. Sot Putin duket më i fortë se kurrë. Por në të njëjtën kohë, është e paqartë se kush mund ta shpëtojë nëse do ta humbiste ndonjëherë atë fuqi. Ashtu si Stalini në vitet e tij të fundit.

Marrë me shkurtime

Shënim: Andrei Kolesnikov, anëtar në think-tankun “Carnegie Endowment for International Peace”.

/albeu.com


Shtuar 11.11.2022 08:39