Koalicioni qeverisës në Japoni ka humbur shumicën në Dhomën e Lartë të Parlamentit, por kryeministri Shigeru Ishiba ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet nga detyra, pavarësisht rezultatit të pafavorshëm.
Zgjedhjet e zhvilluara të dielën u mbajtën në një klimë të shtuar pakënaqësie publike, të nxitur nga rritja e kostos së jetesës dhe tensionet në rritje në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Pas përfundimit të procesit të votimit, kryeministri Ishiba pranoi se rezultati ishte “i ashpër” dhe “i rëndë”, por nënvizoi se qeveria e tij do të vijojë punën për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe avancimin e negociatave tregtare.
Koalicioni i përbërë nga Partia Liberale Demokratike (LDP) dhe partnerja e saj, Komeito, kishte nevojë për të paktën 50 mandate për të ruajtur shumicën në dhomën me 248 vende. Në fund të procesit zgjedhor, arriti të siguronte vetëm 47 vende.
Ndërkohë, Partia Demokratike Kushtetuese, opozita kryesore, fitoi 22 mandate, duke u renditur si forca e dytë më e madhe politike në këto zgjedhje.
Në këtë proces u votua për gjysmën e vendeve në Dhomën e Lartë, anëtarët e së cilës zgjidhen për mandate gjashtëvjeçare. Humbja e fundit për koalicionin qeverisës vjen pas një tjetër disfate të rëndësishme në vitin e kaluar, kur humbi kontrollin edhe në Dhomën e Ulët, gjë që pritet të ndikojë ndjeshëm në axhendën legjislative të qeverisë.