Hajdutët që vodhën xhevahiret më të vlefshme të Luvrit tetorin e kaluar i shpëtuan policisë vetëm 30 sekonda para fundit, zbuloi një hetim mbi incidentin që tronditi Francën. Hetimi, i urdhëruar nga Ministria e Kulturës, zbuloi se vetëm një nga dy kamerat e sigurisë funksiononte pranë pikës nga e cila grabitësit hynë në ndërtesë mëngjesin e së dielës, më 19 tetor.
Sipas hetimit stafi në qendrën e kontrollit të sigurisë nuk kishte ekrane të mjaftueshme për të monitoruar muzeun në kohë reale. Ndërkohë, mungesa e koordinimit bëri që policia të dërgohej fillimisht në vendin e gabuar kur u dha alarmi. Një nga zbulimet në raport ishte se grabitësit kishin vetëm 30 sekonda për të hyrë me forcë përpara se të mbërrinin policia dhe rojet private të sigurisë.
“Rojet e Securitas [kompania private] ose oficerët e policisë në një makinë mund t’i kishin penguar hajdutët të arratiseshin”, u tha senatorëve kreu i hetimit, Noel Corbin.
Ai tha se masa të tilla si një sistem modern kamerash me qark të mbyllur, xhama më të fortë ose koordinim më i mirë i brendshëm mund të kishin parandaluar humbjen e bizhuterive, me vlerë rreth 88 milionë euro. Por një hetim i kërkuar nga udhëheqja e Muzeut në vitin 2019 tregoi gjithashtu se ka shumë boshllëqe dhe dobësi në siguri.
Ndër të tjera, ekspertët nga kompania e bizhuterive Van Cleef & Arpels kishin theksuar se ballkoni pranë lumit i përdorur nga hajdutët në tetor ishte një pikë e dobët dhe mund të ishte arritur nga kushdo me një shkallë të madhe. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në tetor.
Çuditërisht, drejtoresha e Luvrit, Laurence de Carr, nuk u informua për inspektimin, i cili ishte urdhëruar nga paraardhësi i saj, Jean-Luc Martinet. Policia ndërkohë ka arrestuar katër autorët, të cilët ikën me motoçikleta pasi kryen grabitjen në rreth 10 minuta, bizhuteritë të cilat nuk janë gjetur.
