Hamas ka deklaruar se mbetet i angazhuar për të vazhduar negociatat drejt një armëpushimi të përhershëm dhe tërheqjes së plotë të forcave izraelite nga Gaza, por thekson se kjo mund të ndodhë vetëm nëse përmirësohet ndjeshëm situata humanitare në enklavë.
“Është thelbësore që gjendja humanitare katastrofike të përmirësohet ndjeshëm dhe të marrim një përgjigje të shkruar nga armiku në lidhje me kundërpropozimin tonë,” tha për CNN Basem Naim, anëtar i lartë i zyrës politike të Hamasit. “Kjo është një parakusht për t’u rikthyer në tryezën e negociatave.”
Megjithëse deklarata vjen si sinjal për hapje ndaj dialogut, aktualisht Hamas ka ndalur çdo përfshirje në bisedimet për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, sipas dy burimeve të njohura me çështjen, të cilat folën për CNN të enjten.
CNN më herët kishte raportuar se Hamas po konsideronte të ashpërsonte qëndrimin e tij në negociata.
Të mërkurën, zyrtari i lartë i Hamasit Mahmoud Mardawi deklaroi se nuk ka kuptim të vazhdohet me negociatat për sa kohë që Gaza vazhdon të përjetojë krizë urie.
“Nuk ka kuptim të ketë negociata për sa kohë që politika e urisë dhe shfarosjes kundër popullit tonë vazhdon,” shkroi Mardawi në rrjetin X.