Hamasi ka deklaruar së fundmi se nuk do t’i lëshonte armët nëse nuk do të krijohet një shtet i pavarur palestinez. Në një deklaratë, organizata tha se “rezistenca e saj e armatosur… nuk mund të braktiset përveçse nëpërmjet rivendosjes së plotë të të drejtave tona kombëtare, më themelore prej të cilave është krijimi i një shteti palestinez të pavarur dhe plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet”.
Negociatat indirekte midis Hamasit dhe Izraelit që synonin zbatimin e një armëpushimi 60-ditor në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve përfunduan javën e kaluar duke mos u arritur asgje.
Hamasi gjithashtu dënoi të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, për vizitën e tij të premten në një strukturë të drejtuar nga Fondi Humanitar i Gazës, i cili shpërndan ndihmë humanitare për banorët e Gazës.
Hamasi e quajti vizitën e Witkoff “asgjë më shumë se një shfaqje teatrale e paramenduar që synonte të mashtronte opinionin publik, të lustronte imazhin e pushtimit dhe të ofronte mbulim politik për menaxhimin e urisë dhe vazhdimin e vrasjes sistematike të fëmijëve dhe civilëve të paarmatosur nga populli ynë në Rripin e Gazës”.
“Qeveria amerikane është bashkëfajtore në krimin e urisë dhe gjenocidit që po ndodh para syve të të gjithë botës”, shton organizata.
Zyrtarët e shëndetësisë në Gaza kanë thënë se 18 persona, përfshirë tetë që po përpiqeshin të merrnin ushqim, u vranë nga zjarri izraelit ditën e sotme. Sipas zyrës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, të paktën 859 njerëz janë vrarë “në afërsi” të vendeve të ndihmës së GHF që nga fundi i majit. Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë thënë vazhdimisht se “i hedhin poshtë kategorikisht pretendimet për dëmtim të qëllimshëm të civilëve”.
Lufta në Gaza filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë, në një sulm ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe rrëmbyen 251 të tjerë. Nga këta, ata ende mbajnë rreth 50, me 20 që besohet se janë gjallë, pasi shumica e të tjerëve u liruan në armëpushime ose marrëveshje të tjera.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 60,000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, e cila nuk bën dallim midis militantëve dhe civilëve në numërimin e saj.