Hamas shprehet e gatshme të lejojë furnizime për pengjet nga Kryqi i Kuq

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al-Kasam, deklaroi se është i gatshëm të përgjigjet pozitivisht ndaj çdo kërkese nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për furnizimin me ushqim dhe ilaçe për pengjet që mban, të cilët i quan “robër lufte”.

Megjithatë, në deklaratën e shpërndarë në kanalet e organizatës, theksohet se lejimi i ndihmës varet nga sjellja e Izraelit ndaj qasjes humanitare në Rripin e Gazës.

Deklarata vjen pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili i kërkoi Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të sigurojë që pengjet të marrin kujdesin mjekësor të nevojshëm dhe ndihmën e menjëhershme.

Në përgjigje, zëdhënësi i Brigadave Al-Kasam, Abu Ubeida, deklaroi se qasja e Kryqit të Kuq do të mundësohet vetëm nëse:

Hapet korridor humanitar i rregullt dhe i përhershëm për ushqim dhe ilaçe për gjithë popullin e Gazës;

Ndalohet çdo aktivitet ajror armiqësor izraelit gjatë orëve të dorëzimit të ndihmës për të burgosurit.

Ai gjithashtu mohoi akuzat për uri të qëllimshme të pengjeve, duke deklaruar se “pengjet hanë të njëjtën ushqim si luftëtarët tanë dhe popullsia civile” dhe se nuk do të trajtohen ndryshe nga populli i Gazës që po vuan nga uria dhe bllokada.

Kjo deklaratë shton tensionet në sfondin e një krize të thellë humanitare në Gazë dhe rrit thirrjet ndërkombëtare për ndërprerje të luftimeve dhe garantimin e ndihmës për civilët.


Shtuar 3.08.2025 21:30