Një përfaqësues i Hamasit ka deklaruar se lëvizja është gati për transferimin e plotë të qeverisjes në Rripin e Gazës sa më shpejt të jetë e mundur, por ka theksuar se ky proces varet nga hapja e plotë e pikëkalimit të Rafahut, në kufi me Egjiptin, pa pengesa nga Izraeli.
Zëdhënësi i Hamasit në Gaza, Hazem Qassem, bëri të ditur se protokollet janë përgatitur dhe dosjet janë përfunduar, ndërsa komitete të posaçme janë ngarkuar për zbatimin e procesit, me qëllim dorëzimin e qeverisjes në të gjitha fushat tek Komiteti Kombëtar, i krijuar në kuadër të planit amerikan për përfundimin e luftës.
Sipas Qassemit, për të realizuar transferimin e qeverisjes është e domosdoshme që anëtarët e këtij komiteti të kenë akses në Rripin e Gazës. Ai kërkoi që pikëkalimi i Rafahut të rihapet plotësisht në të dy drejtimet, pa asnjë pengesë nga Izraeli.
