Gruaja e parë në historinë e SHBA-së e emëruar si shefe e kabinetit të presidentit amerikan/ Kush është Susie Wiles që ndaloi Vuçiç të takohej me Trump

residenti serb, Aleksandar Vuçiç nuk kishte llogaritur siç duhet ndikimin e veprimeve të tij dhe për pasojë, shefja e kabinetit të presidentit amerikan Donald Trump i ndaloi hyrjen në kompleksin në Florida, pavarësisht se ai kishte paguar për të qenë aty. Kështu u shpreh ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviç, duke komentuar lajmin për kthimin e papritur të presidentit të Serbisë nga SHBA.

“Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Trump janë më të fokusuar në raportin personal me Putinin. Vuçiq nuk mund të përdorë një foto me Trumpin si mjet për të zgjidhur çështjet e brendshme në Serbi. Ai shpresonte që, me një fotografi në Florida, të zbutte presionin nga Evropa dhe të siguronte rrugën drejt Moskës. Por, duke u përpjekur të pozicionohej mes Trumpit dhe Putinit, ai ia zuri vendin Trumpit si figura udhëheqëse përballë Evropës“, deklaroi Vujoviç.

Po kush është shefja e stafit të presidentit amerikan?

Susie Wiles ka lindur më 14 maj 1957 në New Jersey me emrin Susan Sameral. Ka diplomuar në Universitetin e Marylandit dhe në vitin 1980 iu bashkua fushatës presidenciale të Ronald Reganit. Për gati 10 vjet ka drejtuar firmën lobuese Ballard Partners në Tallahassee. Wiles tashmë është gruaja e parë në historinë e SHBA-së që është emëruar si shefe e kabinetit të presidentit amerikan dhe konsiderohet person i besuar i tij.

Ajo është një veterane e politikës në Florida. Karrierën e nisi në zyrën e kongresmenit nga New Yorku, Jack Kemp, në Uashington gjatë viteve ’70. Më pas punoi në fushatën e Ronald Reganit dhe në Shtëpinë e Bardhë si organizatore e agjendës së tij. Më vonë u transferua në Florida, ku ka këshilluar dy kryebashkiakë të Jacksonville dhe ka punuar për kongresisten, Tillie Fowler.

Ka qenë e angazhuar në disa fushata shtetërore në Floridë dhe ndihmoi biznesmenin Rick Scott të fitojë postin e guvernatorit. Për një kohë të shkurtër udhëhoqi fushatën presidenciale të guvernatorit të Utah, Jon Huntsman, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2016 drejtoi fushatën e Donald Trump në Florida, shtet kyç që i siguroi atij rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë. Dy vite më pas, Wiles ndihmoi Ron DeSantis të zgjidhet guvernator i Floridës, por marrëdhënia mes tyre u përkeqësua.

Fillimi i bashkëpunimit me Trumpin

Susie Wiles përfundimisht mori drejtimin e fushatës së Trumpit kundër DeSantis gjatë garës paraprake dhe e mposhti bindshëm. Ekipi elektoral i Trumpit dhe aleatët e tij shpesh e tallnin DeSantis duke përdorur informacione që dyshohej se vinin nga Wiles dhe ish-bashkëpunëtorë të DeSantis që tani ishin në krahun e Trumpit. Ajo iu bashkua fushatës së tretë të Trumpit dhe gjatë tre viteve të fundit ka vepruar si shefja de facto e kabinetit, duke udhëhequr kandidaturën e tij për rizgjedhje dhe duke e ndihmuar në çështje ligjore e gjyqësore.

“Susie Wiles më ndihmoi të realizoj një nga fitoret më të mëdha politike në historinë e SHBA-së dhe ka qenë pjesë thelbësore e fushatave të mia të suksesshme në 2016 dhe 2020. Ajo është e fortë, e mençur, inovative dhe gëzon respekt të gjerë,” ka deklaruar Trump.

Sipas Politico, asnjë tjetër nuk ka ndikim mbi Trumpin si Susie Wiles. Ai vetë e ka quajtur atë “zonja prej çeliku”. Ndryshe, përveç lidhjeve të forta me familjen Trump, Wiles ka ndërtuar marrëdhënie edhe me Robert F. Kennedy Jr., i cili më vonë hoqi dorë nga kandidimi presidencial dhe e mbështeti Trumpin.

Susie Wiles ka krijuar gjithashtu një lidhje të afërt me Elon Musk, i cili është bërë një mbështetës i madh i Trumpit. Mediat amerikane theksojnë se Susie është përgjegjëse për faktin që fushata më e fundit e Trumpit ka qenë më e disiplinuar dhe profesionale se të mëparshmet. Megjithatë, disa e përshkruajnë edhe si një figurë që mbështet ambiciet autokratike të Trumpit.

“Susie Wiles është tepër inteligjente dhe tepër e sofistikuar si operatore politike për të mos e kuptuar këtë”, tha analisti demokratik nga Miami, Fernand Amandi./Britannica


Shtuar 4.05.2025 23:43