Greta Thunberg deportohet nga Izraeli pas ndalimit të anijes me ndihma për Gazën

Sipas grupit ligjor për të drejtat e njeriut Adalah, i cili përfaqëson Thunberg dhe aktivistët e tjerë, ajo, dy aktivistë dhe një gazetar pranuan të deportoheshin dhe të largoheshin nga Izraeli. Aktivistët e tjerë refuzuan dëbimin dhe aktualisht mbahen në paraburgim, në pritje të një vendimi nga autoritetet izraelite.

Thunberg ishte një nga 12 personat që ndodheshin në bordin e anijes “Madleen”, e cila po transportonte ndihma humanitare për popullatën e prekur nga lufta në Gazë. Sipas Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, organizatorëve të udhëtimit, anija u kap nga forcat detare izraelite të hënën në mëngjes, rreth 200 kilometra larg bregut të Gazës. Më pas, ajo u shoqërua nga marina izraelite dhe mbërriti në portin e Ashdodit të hënën në mbrëmje.

Aktivistët thanë se qëllimi i misionit ishte të protestonin kundër luftës në vazhdim dhe krizës së rëndë humanitare në Gaza. Nga ana tjetër, autoritetet izraelite deklaruan se anijet e tilla shkelin bllokadën detare të vendosur ndaj Gazës.

Ministria e Jashtme izraelite e cilësoi këtë udhëtim si një veprim për qëllime propagandistike, duke shkruar në rrjetet sociale: “Jahti ‘selfie’ i ‘të famshmëve’ po lundron i sigurt drejt brigjeve të Izraelit”.


Shtuar 10.06.2025 11:34