Gjermania dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për bashkëpunim të plotë në sektorin e sistemeve të armatimit, pavarësisht rezultatit të bisedimeve që janë aktualisht në zhvillim për një armëpushim të mundshëm.
Sipas gazetës gjermane BILD, e cila citon burime qeveritare në Berlin, të dyja vendet kanë rënë dakord për një plan bashkëpunimi me 10 pika kryesore, që synon forcimin afatgjatë të industrisë së mbrojtjes dhe furnizimit me armë të Ukrainës.
Pikat kryesore të marrëveshjes:
Konsultime të rregullta në nivel të lartë për politikën e mbrojtjes, përmes ministrive të Mbrojtjes të dy vendeve.
Krijimi i një zyre ndërlidhëse për industrinë ukrainase të mbrojtjes në Berlin (Ukraine Freedom House), me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit me kompanitë gjermane, si dhe forcimin e pikave të kontaktit për industrinë gjermane të sigurisë dhe mbrojtjes në Ukrainë, përfshirë edhe përmes ambasadës gjermane në Kiev.
Shtim i personelit dhe zgjerim i kompetencave të zyrës së atasheut ushtarak gjerman në ambasadën në Kiev, si dhe shkëmbim i vazhdueshëm informacioni mbi nevojat për armë.
Projekte të reja strategjike për kërkim, zhvillim dhe prodhim të përbashkët të armëve, duke u fokusuar veçanërisht në avantazhin e industrisë ukrainase në fushën e dronëve dhe teknologjive të lidhura me to.
Transferim i vazhdueshëm teknologjie përmes krijimit të më shumë ndërmarrjeve të përbashkëta të mbrojtjes, me shkëmbim të ndërsjellë. Kjo nënkupton edhe prodhimin në Gjermani të pajisjeve ushtarake të zhvilluara në Ukrainë.
Ndërtimi i një aleance të gjerë evropiane për furnizimin me armë në mbështetje të Ukrainës, përfshirë pjesërisht edhe pajisje të prodhuara në territorin ukrainas.
Integrimi i industrisë ukrainase të mbrojtjes në tregun pan-evropian të mbrojtjes.
Përdorimi i mundshëm i garancive federale gjermane për investime në industrinë e mbrojtjes në Ukrainë.
Shkëmbim i vazhdueshëm informacioni mbi situatën në front, përfshirë transmetimin dhe përdorimin e të dhënave digjitale të fushëbetejës nga Ukraina, si dhe ndarjen e përvojës praktike mbi përdorimin e teknologjive gjermane të mbrojtjes në terrenin ukrainas.
Krijimi i një mekanizmi të posaçëm sigurie kundër korrupsionit për marrëveshjet e armëve me Ukrainën.
Marrëveshja konsiderohet si një hap strategjik për forcimin e mbështetjes ushtarake ndaj Kievit dhe për thellimin e bashkëpunimit industrial dhe teknologjik mes Gjermanisë dhe Ukrainës.
