Gara për president në Sllovaki, rezultatet përfundimtare të raundit të parë: Kryeson Ivan Korcok

Rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki kanë treguar që ish-ministri i Jashtëm Ivan Korcok është në krye të garës.

Korcok, liberal, udhëheq me 42.5 për qind të votave, sipas rezultateve zyrtare të publikuara prej Komisionit zgjedhor të dielën.

Ai do të garojë tani me kryetarin e Parlamentit të Sllovakisë, Peter Pellegrini, në rrethin e dytë të zgjedhjeve, më 6 prill, pasi asnjëri kandidat nuk e ka fituar shumicën, sipas REL.

Pellegrini i ka fituar 37 për qind të votave, pavarësisht se në sondazhet para zgjedhjeve janë përmendur shifra më të mëdha.

Dalja në zgjedhjet e së shtunës ka qenë 51.9 për qind.

Partia e Pellegrinit është pjesë e koalicionit qeverisës në qeverinë e krahut të majtë të kryeministrit Robert Fico.

Partia populliste e krahut të djathtë, Partia Kombëtare Sllovake, është po ashtu pjesë e koalicionit.

Korcok përkrahet prej opozitës.

Presidentja aktuale, Zuzana Caputova, nuk ka garuar për një mandat të dytë pesëvjeçar, pavarësisht popullaritetit që gëzon.

Në garë për president kanë qenë nëntë burra.

Në debate kanë mbizotëruar temat e luftës në Ukrainë, dhe mospajtimet e brendshme mes udhëheqësisë së Ficos dhe opozitës liberale, pasi aktualisht Sllovakia është thellësisht e ndarë në pozicionimet politike.


Shtuar 24.03.2024 12:35