Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u kthye sot në qytetin Nissemi në Siçilinë lindore, ku më shumë se dy mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Ky është një fenomen që u intensifikua tre javë më parë për shkak të uraganit Harry dhe fronti i përgjithshëm i rrëshqitjeve të dheut tani tejkalon pesë kilometra.
Kryeministrja italiane u takua me një komitet qytetarësh që kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe njoftoi se qeveria në Romë do të ndajë menjëherë 150 milionë euro. Kjo shumë pritet të përdoret për shembjen e ndërtesave që nuk janë më të banueshme, për ndërtimin e shtëpive të reja dhe për mbrojtjen e të gjithë zonës, me ndërhyrje që do të synojnë të kufizojnë sa më shumë fenomenin e rrëshqitjes së dheut.
Masat specifike do të miratohen të mërkurën, në formën e një dekreti legjislativ. Në të njëjtën kohë, kreu i Mbrojtjes Civile Italiane, Fabio Ciciliano, do të marrë edhe detyrat e një komisioneri të posaçëm qeveritar, përgjegjës për zbatimin e ndërhyrjeve të ndryshme në Nisemi.
Së fundmi, masat mbështetëse do të përfshijnë edhe ndihmë financiare për fermerët që nuk mund të shkojnë në fushat e tyre, si dhe për të gjithë qytetarët që nuk punojnë gjatë kësaj periudhe, për shkak të “zonës së kuqe” që u krijua, me qëllim mbrojtjen e integritetit të banorëve.
