Franca bie dakord për krijimin e shtetit të ri “Kaledonia e Re”: Marrëveshje historike

Franca dhe Kaledonia e Re njoftuan arritjen e një marrëveshjeje historike, sipas së cilës territori përtej detit do të mbetet pjesë e Francës, por do të fitojë statusin e një shteti të ri të njohur si “Shteti i Kaledonisë së Re”.

Pas dhjetë ditësh negociatash, përfaqësues të palëve pro-franceze dhe atyre pro-pavarësisë ranë dakord për krijimin e një kombësie të re për Kaledoninë e Re, e cila do të mund të kombinohet me shtetësinë franceze. Marrëveshja prej 13 faqesh do të përfshihet në kushtetutën franceze dhe pritet të njihet ndërkombëtarisht.

Marrëveshja vjen pas trazirave të dhunshme në Maj 2024, kur ndryshimet e planifikuara në sistemin zgjedhor shkaktuan përplasje që lanë 14 të vdekur dhe dëme ekonomike në vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh.

Protestuesit, kryesisht nga popullsia indigjene Kanake, kundërshtuan dhënien e të drejtës së votës për banorët jo-autoktonë, duke frikësuar se kjo do të minonte aspiratat për pavarësi.

Sipas kushteve të reja, e drejta për të votuar në zgjedhjet lokale do të mundësohet vetëm për ata që kanë jetuar për të paktën 10 vjet në territor.

Presidenti Emmanuel Macron e quajti marrëveshjen një hap të madh për zgjidhjen e krizës politike të gjatë, ndërsa kryeministri François Bayrou e përshkroi atë me “dimensione historike”.

Kaledonia e Re, me një popullsi prej rreth 270,000 banorësh, ka qenë nën administrimin francez që nga shekulli XIX.

Por ndarjet midis komuniteteve kanë shkaktuar përçarje të thella për të ardhmen e territorit, midis atyre që kërkojnë më shumë autonomi dhe atyre që mbështesin mbetjen nën Francë.

Marrëveshja parashikon gjithashtu një pakt për rimëkëmbjen ekonomike dhe përforcimin e industrisë së nikelit, një nga burimet kryesore të të ardhurave për arkipelagun.

Parlamenti francez pritet ta miratojë marrëveshjen në fund të vitit 2025, ndërsa referendumi konfirmues në Kaledoninë e Re do të mbahet në vitin 2026.


Shtuar 12.07.2025 19:52