FOTO/ Dimri polar “pushton” Evropën, nga Sheshi i Kuq te kanalet e Londrës, kontinenti nën akull

Stuhitë kanë goditur rëndë nga Mbretëria e Bashkuar e Franca në perëndim, deri në stepat ruse në lindje, duke krijuar peizazhe sa magjike aq edhe problematike.

Në Moskë, reshjet e dendura të dëborës këtë të premte (9 janar 2026) nuk i kanë ndalur turistët të bëjnë foto në Sheshin e Kuq, ndonëse në rrugët e qytetit qytetarët janë parë duke shtyrë makinat e bllokuara. Situatë e ngjashme paraqitet në Pragë, ku Ura mesjetare e Karlit ofroi pamje spektakolare nën dëborë, ndërsa në Lituani termometri shënoi -12 gradë Celsius.

Fotografitë më dramatike vijnë nga Gjermania. Në majën e malit Feldberg pranë Frankfurtit, pemët dhe ndërtesat janë kthyer në skulptura natyrore akulli. Në zonën industriale të Ruhr-it, varkat kanë mbetur të bllokuara në kanalet e ngrira, ku të vetmit vizitorë mbeten zogjtë e dimrit.

Një nga imazhet më prekëse vjen nga Kievi. Mes sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe të ftohtit, jeta vazhdon – një çift është fotografuar duke ecur dorë për dore në rrugët me dëborë të kryeqytetit ukrainas.

Edhe Londra është zgjuar me kanale të ngrira dhe varka të bllokuara, ndërsa autoritetet kanë lëshuar paralajmërime të reja për përkeqësim të motit.


Shtuar 9.01.2026 18:56