Presidenti amerikan Donald Trump u shfaq në skenën e Forumit Ekonomik Botëror në Davos mes duartrokitjeve, duke mbajtur një fjalim të fortë, sidomos për çështjen e Groenlandës dhe rolin e SHBA-së në sigurinë europiane.
Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rol kyç në mbrojtjen e Europës, duke rikujtuar ndërhyrjen vendimtare amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, pa SHBA-në shumë vende europiane nuk do të kishin qenë në gjendje të mbronin as veten.
Ai u ndal edhe te Groenlanda, duke argumentuar se asnjë vend tjetër nuk ka kapacitetin ta mbrojë atë territor si SHBA-ja. Ndër të tjera Trump theksoi se NATO pa SHBA “nuk është asgjë” dhe nëse vendet europiane nuk e mbështesin Amerikën në marrjen e Goendlandës, atëhere ai nuk do “t’ia harrojë”.
“Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës NATO nuk është asgjë. Nuk mund të mbrohet nga armiqtë e saj. Unë detyrova vendet anëtare të rrisnin shpenzimet në 5 % sepse ata nuk po paguanin asgjë. Pronësia për Groenlandën na duhet për të ndihmuar ekzistencën e aleancës.
Në fjalimin e tij, presidenti amerikan kritikoi politikat energjetike dhe emigratore të Europës, duke paralajmëruar për vetëshkatërrim dhe duke kërkuar që kontinenti të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e tij. Ai theksoi se SHBA dëshiron një Europë të fortë, ndërsa paralajmëroi për përparimin e Kinës në sektorin energjetik dhe bërthamor”, tha Trump.
Pjesë nga fjala e fjalimit të Trump:
Kina është duke shënuar përparim në aspektin energjetik. Kina po hedh vështrimin edhe nga energjia bërthamore. Pasojat në natyrë të politikave shkatërruese kanë shënuar rritje. SHBA kujdesen shumë për popullin e Europës. Kam nënën nga Skocia dhe babanë gjerman dhe dua që këto vende të kenë sukses. Çështja e energjisë dhe emigracionit duhet të jenë kryesore për Europën. Europa duhet të bëjë punën e saj, por po vetëshkatërrohet. Ne duam që Europa të jetë e fortë.
Kam respekt të madh për popullin e Groenlandës dhe Danimarkës, por çdo vend i aleancës duhet të mbrojë territorin e vet dhe asnjë vend nuk është në pozicionin për të mbrojtur Groenlandën siç është SHBA-ja. Ne jemi një fuqi e madhe, e kemi treguar në Luftën e Dytë Botërore, kur Danimarka s’mund të mbronte dot veten dhe Groenlandën; SHBA dërgoi forcat e saj në territorin e Groenlandës dhe ata nuk patën më shans që ta merrnin.
Danimarka e di këtë. Ne kemi ngritur baza, kemi luftuar për Danimarkën, për ta shpëtuar atë vend. Një vend, një copë e madhe akulli, por ne e shpëtuam. Nuk lejuam armiq në hemisferën tonë dhe pas luftës, të cilën e fituam. Pa ne, ju do të flisnit gjermanisht dhe japonisht ndoshta. Ne ia kthyem Groenlandën Danimarkës; sa budallenj u treguam, dhe ata janë mosmirënjohës.
