Fermerët grekë përshkallëzojnë protestën, vendosin të bllokojnë rrugët dhe doganat e vendit! 7 kërkesat ndaj qeverisë Mitsotakis

Pasi nuk kanë rënë dakord dhe nuk kanë mbetur të kënaqur me deklaratat e qeverisë Mitsotakis, përfaqësuesit e fermerëve grekë pas një takimi në Nikaia të Larisës kanë vendosur të përshkallëzojnë protestën e tyre duke bllokuar rrugët dhe doganat e vendit.

Ata parashtrojnë shtatë kërkesa, të cilat janë të përbashkëta për të gjithë dhe e konsiderojnë si vendimtare plotësimin e tyre. Konkretisht kërkojnë:
-Naftë pa taksa
-7 cent për kilovat orë, çmimin e energjisë elektrike
-Subvencionim për furnizimet dhe ushqimin për kafshët
-Të mos zbatohet Politika Agrare e Përbashkët dhe të negociohet ajo sërish
-Kompensim 100% dhe zëvendësimi i të ardhurave të humbura nga produktet bujqësore
-Të mos paraqiten si produktr greke ato që vijnë nga eksporti pa kontroll.
Kërkesat individuale të fermerëve nga Thessalia në lidhje me kompensimin e dëmeve nga stuhia Daniel do të renditen në një shtojcë të kërkesave të tyre kryesore.

Fermerët, pas një takimi dy orë e gjysmë, vendosën të përshkallëzojnë mobilizimin e tyre në tre mënyra kryesore:

– Të mbyllin në të njëjtën kohë me traktorë nga nesër të gjitha nyjet kryesore në rrugët kombëtare, dytësore dhe pikat doganore.
– Çdo bllok i fermerëve me traktorë të protestojë edhe në qytete.
– Javën e ardhshme të zbresin për protestë dhe miting në Athinë me traktorë.

Menjëherë pas vendimeve të fundit ata kanë bllokuar rrugën nacionale në Nikaia të Larisës.


Shtuar 6.02.2024 16:43