“Është e drejtë e tij”, Mitsotakis: Ardhja e Ramës e panevojshme, por s’e ndalojmë dot

Kreu i qeverisë greke, Kyriakos Mitsotakis ka dhënë së fundmi një intervistë për protothema.gr.

Duke iu referuar vizitës së afërt të kryeministrit shqiptar Edi Rama në datën 12 maj në Greqi, ai tregon se nuk është i ftuar i qeverisë, po vjen për të biseduar me bashkatdhetarët e tij.”

“Është e drejtë e tij, një zgjedhje që më duket e panevojshme, prandaj thashë që është një zgjedhje e panevojshme. Ne kemi probleme me marrëdhëniet greko-shqiptare”, tha ai dhe shtoi se çështja e ndalimit të Fredi Belerit është europiane, jo dypalëshe.

Pjesë nga intervista:

Antonis Schroiter: Ju udhëtoni në Turqi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, udhëton në Greqi, vjen këtu. Kam lexuar për shumë përpjekje për të shtyrë këtë vizitë, e cila në fund nuk do të shtyhet. Fillimisht, a është i mirëpritur zoti Rama në Greqi?

Kyriakos Mitsotakis: Shiko, së pari, ai nuk vjen si mysafir i qeverisë greke. Nuk është një vizitë, do të thosha, me karakteristika dypalëshe. Ai vjen, e kuptoj, për të folur me bashkatdhetarët e tij. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Përtej kësaj, mendoj se edhe ky është një opsion që për momentin, në kushtet e zgjedhjeve evropiane, më duket mjaft i panevojshëm.
Qeveria greke nuk mundet, ne jemi demokraci, ne nuk e ndalojmë të drejtën e tubimit e cila është e garantuar me kushtetutë, ndaj nuk i kushtoj aq rëndësi kësaj.

Antonis Schroiter: Ai ka kërkuar një hapësirë ​​të hapur për një tubim të madh. Nuk e di tani me Fredi Belerin në burg dhe një grup të madh njerëzish që festojnë për zotin Rama nëse është…

Kyriakos Mitsotakis: Prandaj thashë se ishte një zgjedhje e panevojshme. Kemi probleme në marrëdhëniet greko-shqiptare…

Antonis Schroiter: Nuk do ta ndaloni këtë tubim?

Kyriakos Mitsotakis: Jo, nuk do ta ndalojmë.

Antonis Schroiter: Edhe nëse bëhet në një hapësirë ​​të hapur?

Kyriakos Mitsotakis: Ne as nuk do ta ndalojmë dhe as do ta lehtësojmë. Por më lejoni t’ju them edhe një gjë: vërtet ky rast ka krijuar një tension të madh në marrëdhëniet greko-shqiptare. Çështja nuk është dypalëshe, është evropiane, pavarësisht atyre që pretendojnë se është një çështje që ka të bëjë vetëm me pakicën kombëtare greke. Bëhet fjalë për shtetin e së drejtës dhe mënyrën sesi Shqipëria i trajton minoritetet, ka të bëjë me mënyrën se si funksionon gjyqësori shqiptar. Qeveria greke do të vazhdojë të ngrejë këto çështje.

Dhe dua t’ju kujtoj se në fletën tonë të votimit nuk kemi një, kemi dy përfaqësues nga minoriteti grek dhe veçanërisht me Himarën si pikë referimi. Sa për të thënë edhe një gjë: ne kemi edhe një përfaqësues të pakicës myslimane në fletëvotimet tona. Vura re me interes se dy partitë e tjera, në mos gaboj, dy partitë e tjera të mëdha zgjodhën të mos e bënin këtë. Dhe këtë e them sepse ka një parti që po merr pjesë në zgjedhjet evropiane në Traki me karakteristika thjesht “turke”.


Shtuar 8.05.2024 16:54