Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka thyer heshtjen duke reaguar pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu. Duket se Erdogan i mëshon akuzave për korrupsion ndërsa e ka quajtur një çështje të drejtësisë.
“Diploma është marrë me djersë, por nuk mund të thonë se nuk ka korrupsion në bashki. Ata po përpiqen të mashtrojnë popullin duke e kufizuar çështjen me slogane.”-tha ai.
Presidenti akuzoi opozitën se po përpiqet ta paraqesë këtë çështje si një konspiracion politik, ndërkohë që sipas tij, dokumentet dhe informacionet mbi hetimin janë dorëzuar nga vetë anëtarët e CHP-së. “Përpjekjet e opozitës për të portretizuar konfliktet e saj të brendshme apo problemet e saj me ligjin si çështjen më të rëndësishme të vendit janë kulmi i hipokrizisë,” deklaroi ai.
Erdogan theksoi gjithashtu se as ai, as partia e tij dhe as aleanca qeverisëse nuk kanë kohë për atë që e cilësoi si një “shfaqje të opozitës.” Ai shtoi se një pjesë e udhëheqjes së CHP-së, ndonëse publikisht shprehet e shqetësuar për ndalimin e İmamoğlu-së, në të vërtetë është e kënaqur që ka eliminuar një rival të fortë në luftën e brendshme politike brenda partisë.
Policia turke ka arrestuar 37 persona pasi postuan në rrjete sociale statuse që sipas autoriteteve ishin provokuese dhe kishin të bënin me arrestimin e Kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu.
Mësohet se autoritetet vendase kanë indetifikuar 261 llogari në mediat sociale, duke përfshirë 62 jashtë vendit, me “postime provokuese që nxisin krim dhe urrejtje” pas arrestimit të Imamoglut.