Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij francez Emmanuel Macron dhe ka konfirmuar gatishmërinë e Turqisë për të pritur një samit paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas njoftimit të presidencës turke, gjatë kësaj telefonate Erdogan ka ritheksuar se Turqia është e gatshme të “bëjë pjesën e saj” dhe të “marrë rolin e mikpritësit”.
Mes të tjerash, mediatturke raportojnë se të dy liderët kanë diskutuar gjithashtu për planin e Izraelit për të marrë kontrollin e Rripit të Gazës, një plan që Erdogan e ka kritikuar ashpër, duke e quajtur “të domosdoshme” ndalimin e “arrogancës” së qeverisë së drejtuar nga Benjamin Netanyahu.
Të dy liderët ranë dakord të diskutojnë më në detaje për këto çështje gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në shtator në New York.
Sipas deklaratës, “Erdogan theksoi gjithashtu rëndësinë që Turqia i jep zhvillimit të bashkëpunimit me Francën dhe tha se Ankaraja do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të forcuar marrëdhëniet në fusha të ndryshme, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.”
Ndërkohë, Macron deklaroi përmes platformës X se të dy liderët ndajnë të njëjtin synim: për t’i dhënë fund “luftës së agresionit” të Rusisë ndaj Ukrainës, duke theksuar nevojën për “ndërprerjen e luftimeve dhe garanci të forta sigurie për Kievin”.
Ai falënderoi Turqinë për bashkëpunimin e saj brenda Koalicionit të të Vullnetshmëve për këtë çështje.
Duke iu referuar Lindjes së Mesme, Macron dënoi vendimet e fundit të qeverisë izraelite për të nisur një ofensivë të re ushtarake në Gaza dhe për të zgjeruar vendbanimet në Bregun Perëndimor të pushtuar, veçanërisht në zonën E1.