Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan i tha homologut rus Vladimir Putinit të hënën se Ankaraja po punon për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për luftën në Ukrainë dhe se bisedimet midis palëve në Stamboll po kontribuojnë në përpjekjet për paqe.
Sipas një deklarate të lëshuar nga presidenca turke pasi dy udhëheqësit u takuan në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kinë , Putin dhe Erdogan diskutuan gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe, iniciativat e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, sulmet e Izraelit në Gaza, si dhe zhvillimet në Siri.
Putin vlerësoi rolin e Turqisë në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, duke thënë se do të vazhdojë të ketë kërkesë për “rolin e saj të veçantë” në përpjekjet e ndërmjetësimit dhe diplomacinë.
Në veçanti, gjatë diskutimit me homologun e tij turk, Putin iu referua tre raundeve të bisedimeve të drejtpërdrejta ruso-ukrainase që kanë ndodhur që nga maji në Stamboll, duke vënë në dukje se këto takime ndihmuan në arritjen e përparimit në çështjet humanitare.
Ai nënvizoi se kontributi i Ankarasë ishte thelbësor në krijimin e një hapësire për dialog, duke e përshkruar ndihmën turke si “domethënëse”.
Për më tepër, presidenti rus theksoi se bashkëpunimi me Turqinë për çështjet rajonale në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Kaukaz është “i vendosur, i dobishëm dhe i bazuar në besim”, ndërsa shtoi se shkëmbimet e rregullta të pikëpamjeve në nivel presidencial ruajnë një “dialog konstruktiv” që është në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë.
Kujtohet se javën e kaluar, Yuri Ushakov , këshilltari diplomatik i Putinit, kishte deklaruar se të dy udhëheqësit do të diskutonin konfliktin në Ukrainë, pasi Ankaraja luan “një rol të rëndësishëm” si ndërmjetës.