Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u ka kërkuar palestinezëve të bashkohen mes luftës së Izraelit në Gaza, pas bisedimeve disa orëshe me shefin e Hamasit Ismail Haniyeh në Stamboll, sipas zyrës së tij.
Ankaraja ka kritikuar në mënyrë të përsëritur inkursionin e Izraelit në Gaza mes përpjekjeve të dështuara të tij për të ndalur konfliktin , i cili ka tronditur Lindjen e Mesme që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Tensionet në rajon po rriten ndërsa Gaza përgatitet për një ofensivë të re izraelite në qytetin më jugor të Rafahut dhe pas një sulmi të raportuar izraelit ndaj Iranit të premten.
“Është jetike që palestinezët të veprojnë me unitet në këtë proces. Përgjigja më e fortë ndaj Izraelit dhe rruga drejt fitores qëndron në unitet dhe integritet”, tha Erdogan të shtunën pas bisedimeve në Pallatin Dolmabahçe, sipas një deklarate të presidencës turke.
Ndërsa rritja e tensioneve midis Iranit dhe Izraelit ngjalli frikën e një lufte më të gjerë rajonale, Erdogan tha se ngjarjet e fundit nuk duhet ta lejojnë Izraelin të “fitojë terren dhe se është e rëndësishme të veprohet në një mënyrë që të mbajë vëmendjen te Gaza”.