Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Sipas presidencës turke Erdogan mirëpriti përparimin në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë në Stamboll, teksoi theksoi se shpreson për një përparim të konsiderueshëm drejt një armëpushimi në negociatat e ardhshme.
Në një deklaratë, presidenca tha se Erdogan përsëriti ofertën e tij për të organizuar një samit midis Rusisë dhe Ukrainës, duke shtuar se krijimi i grupeve të punës për çështje ushtarake, humanitare dhe politike mund të hapë rrugën për një takim të tillë.
“Presidenti @RTerdogan foli në telefon me Presidentin Volodymyr Zelenskyy të Ukrainës. Telefonata, e zhvilluar me kërkesë të palës ukrainase, trajtoi marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Ukrainë, si dhe çështjet rajonale dhe globale.
Duke vlerësuar progresin e arritur në bisedimet e drejtpërdrejta në Stamboll midis Ukrainës dhe Rusisë si të vlefshëm, Presidenti Erdogan shprehu dëshirën e tij për rezultate domethënëse, në raundet e ardhshme, për një armëpushim në rrugën drejt paqes së qëndrueshme.
Duke vënë në dukje se Turqia është e gatshme të presë një samit në nivel udhëheqësish, Presidenti Erdogan shprehu besimin e tij se krijimi i grupeve të punës në sferat ushtarake, humanitare dhe politike do të hapë rrugën për një samit. Presidenti Erdogan deklaroi se Turqia vazhdon të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës,” thuhet në njoftimin e presidencës.