Anëtarët e Kongresit në SHBA dëgjuan nga afër teoritë rreth UFO-ve të mërkurën në një seancë dëgjimore mbi fenomenet e pashpjegueshme ajrore (UAP) të raportuara nga pilotët.
Ekspertët e UAP, të gjithë ish-oficerë të ushtrisë, dolën para ligjvënësve të mërkurën për të shprehur pretendimet e tyre për mjete dhe prona misterioze.
Deputetët kërkuan një shpjegim dhe ishin skeptikë ndaj pretendimeve të dëshmitarëve. Ndoshta ka një shpjegim më të thjeshtë dhe nuk bëhet fjalë për fenomene të pashpjegueshme.
Megjithatë, ata nuk morën përgjigje të qarta, edhe pse dëgjuan shumë teori.
Ishin tre dëshmitarë kyç që dëshmuan për atë që panë dhe atë që dinë, por edhe për atë që (ata pretendojnë) fsheh qeveria e SHBA.
Më mbresëlënëse ishin zbulimet dhe pretendimet e David Gross, i cili punonte si analist në Forcat Ajrore të SHBA.
Grouse ka pohuar se qeveria amerikane po mbulon më shumë se 10 incidente të përplasjeve të anijeve kozmike aliene dhe se ai ka folur me dhjetëra njerëz me njohuri për këtë çështje. SHBA po përpiqet të kopjojë teknologjinë aliene, por ai vetë nuk kishte akses në programe.
Kur u pyet nga një anëtar i parlamentit, Grouse foli edhe për mostra biologjike të gjetura në vendet e impaktit.
Ishin “ ekzemplarë jo njerëzorë”, deklaroi ai, siç iu tha edhe nga persona që kishin dijeni për këtë çështje.
Por kur u pyet nëse ka parë vetë ndonjë anije kozmike aliene, ai refuzoi të përgjigjet publikisht, një justifikim që e përdori disa herë në seancë. Megjithatë, ai pranoi se nuk ka parë një kufomë aliene.
Gross foli edhe për frikën që ka për jetën pasi “autoritetet mund të praktikojnë terrorizëm indirekt për t’i mbyllur gojën.”
Kurse, David Favor, ish-pilot i Marinës tha se në vitin 2004, ndërsa po fluturonte me avionin e tij luftarak, kishte parë një automjet cilindrik misterioz që dukej si një tank i madh propan.
Mjeti fluturues po lëvizte mbi ujë me lëvizje të papritura dhe kur u përpoq ta gjurmonte, ai u zhduk. Ngjarja, e cila është edhe e filmuar, nuk u hetua asnjëherë.
Deri më tani nuk ka asnjë shenjë të jetës jashtëtokësore, asnjë anije kozmike që lëviz në mënyra që sfidojnë ligjet e fizikës. Megjithatë, ka njerëz që i besojnë dhe që janë dëgjuar edhe në Kongres. Sondazhet tregojnë se katër në 10 amerikanë besojnë se ekzistojnë objekte fluturuese nga planetë të tjerë, ndërsa një në 10 pretendon se kanë parë një UFO.