Egjipti mohon planet për kampe pritjeje për refugjatët palestinezë

Egjipti ka reaguar pas raportimeve se po ngre kampe për pranimin e refugjatëve palestinezë. Kairo është kundër dëbimit të palestinezëve dhe kundër largimit vullnetar nga Rripi i Gazës, thuhet zyrtarisht në Egjipt.

Drejtuesi i Shërbimit Informativ të Shtetit, Diaa Rashvan, dhe guvernatori i rajonit egjiptian të Sinait, Mohamed Shusha, kanë hedhur poshtë raportet se Egjipti po përgatiste kampe pritjeje për mbi 100,000 refugjatë palestinezë në rast të një ofensive izraelite në Rafah.

Rashvan tha se Kairo është kundër dëbimit të palestinezëve dhe largimit vullnetar të Rripit të Gazës. Edhe guvernatori i rajonit egjiptian të Sinait, Mohamed Shusha ka thënë për agjencinë dpa, se veprimet në këtë këtë rajon janë pjesë e një inventarizimi të shtëpive, që janë shkatërruar në luftën kundër ekstremistëve të grupit terrorist, “Shteti Islamik”. Kjo nuk ka të “bëjë aspak” me ndërtimin gjoja të kampeve të refugjatëve për palestinezët.

Sipas raportimeve të mëparshme në media, qeveria egjiptiane po përgatitej për strehimin e mbi 100.000 palestinezëve në rajonin kufitar në Rripin e Gazës, në rast të një ofensive izraelite në Rafah. Madje në këtë zonë po ngrihej edhe një mur betoni, thuhej, me gjasë për të ruajtur kontrollin mbi refugjatët palestinezë. Këtë e kishte raportuar agjencia gjermane e lajmeve, dpa dhe “Wall Street Journal” duke iu referuar zyrtarëve egjiptianë dhe analistëve. Agjencia e lajmeve, AP kishte publikuar madje pamje satelitore, që duhet të tregonin punime ndërtimi në gadishullin e Sinait në afërsi të Rripit të Gazës. Pamjet ku shihen barriera betoni, kamionë etj., përputheshin me videon e publikuar nga Fondacioni Sinai për të Drejtat e Njeriut në Londër më 12 shkurt.


Shtuar 18.02.2024 16:54