Edhe pas Samitit të Tiranës, Ballkani Perëndimor mbetet ende larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Nga Dimitar Bechev “Carnegie Europe”

Samitet BE-Ballkani Perëndimor i ngjajnë shpeshherë “Ditës së Kastorit”, sepse ndodhin përherë të njëjtat gjëra, dhe nuk ndryshon në thelb asgjë nga njëri samit në tjetrin. Një herë në vit, udhëheqësit e 6 vendeve të rajonit mblidhen së bashku me homologët e tyre nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë krerët e Këshillit Evropian, Komisionit dhe Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Aty thuhen fjalë të mençura mbi të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Zyrtarët e BE-së flasin për reformat politike dhe ekonomike. Ndërkohë 6 udhëheqësit rajonalë që përfaqësojnë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, tundin kokën në shenjë miratimi.

Pastaj të gjithë shkojnë secili në shtëpinë e vet dhe gjërat vazhdojnë si më parë. Këtë vit supozohet që gjërat të jenë ndryshe dhe arsyeja është e qartë: lufta në Ukrainë. Kërcënimi ushtarak dhe politik që paraqet Rusia, e ka nxitur BE-në që të vazhdojë lojën e saj në atë që mund të përshkruhet, në mungesë të një termi më të mirë, si Evropa e Gjerë.

Qoftë për shkak të Komunitetit Politik Evropian të presidentit francez Emmanuel Macron, apo statusi i kandidatit që iu dha Ukrainës dhe Moldavisë, apo të nxitjes integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, ekziston ndjesia se BE-ja mund dhe duhet të bëjë më shumë në lidhje me fqinjët e saj.

Ish-Jugosllavia, dhe në veçanti vende si Serbia apo Bosnje Hercegovina, duken shumë të prekshme ndaj ndikimit dashakeq rus. Integrimi i këtij rajoni në union përmes financimeve shtesë apo një diplomacie më energjike është bërë një prioritet më i ngutshëm që nga 24 shkurti i këtij viti.

Lufta e la në hije samitin edhe në një aspekt tjetër. Deri në momentin e fundit ishte e paqartë nëse në do të merrte pjesë presidenti serb Aleksandar Vucic. Ky i fundit druhej se lidhjet e Beogradit me Moskën, të cilat udhëheqja serbe ka refuzuar me vendosmëri që t’i ndërpresë, do të viheshin në rrezik nëse do të detyrohej të dënonte pushtimin e Putinit.

Sikur Vucic ta anulonte pjesëmarrjen, në samit do të të kishte munguar edhe Bosnja, pasi Milorad Dodik, president i entitetit Republika Srpska, do të kishte bllokuar pjesëmarrjen e vendit. Në fund, në Tiranë shkuan edhe Vucic edh Zheljka Cvijanovic, anëtarja serbe e presidencës trepalëshe të Bosnjes.

Edhe pse zyrtarisht deklaratën e samitit që e dënon ashpër luftën e Rusisë, e nënshkruan vetëm përfaqësuesit e BE-së, fakti që ata e bënë këtë “në konsultim me liderët e Ballkanit Perëndimor” nënkupton se Serbia është dakord me këtë qëndrim. Çfarëdo lloj gjëje që fitoi Vucic në këmbim të pjesëmarrjes së tij, fakt është se Brukseli realizoi një grusht shteti diplomatik.

Samiti i këtij viti ishte ndryshe, edhe sepse u zhvillua për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri. Zakonisht, mbledhjet vjetore mbahen në vendet anëtare të BE-së që kanë lidhje të veçanta me rajonin. Si për shembull Greqia, e cila organizoi samitin e vitit 2003 në Selanik, kur BE-ja premtoi për herë të parë anëtarësimin e rajonit, apo samitin e vitit të kaluar në kështjellën e Brdo afër Kranj, Slloveni.

Zgjedhja e Tiranës sinjalizoi përkushtimin e BE-së për rajonin. Dhe sigurisht që ishte një arritje për kryeministrin shqiptar Edi Rama, pikërisht në kohën kur ai përballet me një seri protestash nga opozita e bashkuar, e cila po përgatitet të kundërshtojë kontrollin pothuajse të plotë të bashkive nga Partia Socialiste në pushtet në zgjedhjet lokale që mbahen vitin e ardhshëm.

Duke lënë mënjanë teatralitetin dhe simbolizmin, është më se e qartë se BE-ja nuk mund t’i japë rajonit anëtarësimin e shpejtë. Edhe një vend si Mali i Zi, që po e negocion anëtarësimin prej një dekade, nuk është ende afër hyrjes në union.

Serbia është zhytur në kriza të përsëritura me Kosovën, pavarësisht propozimit të shumë përfolur nga Franca dhe Gjermania për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjen midis tyre. Shqipëria sapo ka nisur bisedimet, dhe BE-ja kërkon që Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën e saj, në mënyrë që të nisë hapja e kapitujve të bisedimeve.

Bosnja dhe Kosova janë edhe më prapa. Nuk është e sigurt nëse ndonjë nga 6 vendet do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së deri në fund të kësaj dekade. Duke e pranuar këtë realitet politik, Brukseli po përpiqet të forcojë mbështetjen e saj financiare, dhe të nxisë politika që synojnë të stimulojnë integrimin pavarësisht nga pranimi.

Aktualisht KE ka njoftuar një paketë ndihme prej 1 miliardë eurosh për adresimin e pasojave të krizës energjetike. Dhe kjo shifër është veçmas 9 miliardë eurove që do të jepen për rimëkëmbjen ekonomike të rajonin pas krizës që shkaktoi Covid-19, ndërtimin e infrastrukturës ndërkufitare dhe harmonizimin e politikave të Ballkanit me tranzicionin e gjelbër që po ndodh aktualisht në BE.

Një nga arritjet kryesore të Samitit të Tiranës, ishte një marrëveshje midis operatorëve celularë nga BE dhe rajoni, për heqjen e tarifave të roaming që nga tetori i vitit 2023. Ajo synon të nxisë procesin e dixhitalizimit si dhe integrimin rajonal. Integrimi rajonal – i cilësuar si një gur themeltar drejt anëtarësimit dhe jo një devijim – duket të jetë për momentin fokusi i BE-së.

Përmes një samiti tjetër të organizuar në tetor, Gjermania e ka ringjallur të ashtuquajturin Procesi i Berlinit. Kryefjala është Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM), një skemë që tani po merr formë falë 3 marrëveshjeve për udhëtimin pa pasaporta, njohjen e diplomave akademike dhe kualifikimeve profesionale.

Të gjashta vendet i nënshkruan më 3 nëntor këto marrëveshje, dhe sigurisht që ato do të pasohen nga të tjera, ndoshta në fushën e energjisë. Megjithatë CRM nuk mund të jetë një formulë magjike. Së pari, Ballkani Perëndimor varet në një masë shumë më të madhe sesa nga fqinjët nga tregtia dhe investimet e huaja direkte nga BE-ja.

Dhe tani situata po vështirësohet shumë, pasi rënia ekonomike në BE po ndikon direkt edhe në këtë rajon. Në frontin politik, është rruga e pranimit, ajo që do të marrë më shumë vëmendje. Më në fund, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së ka rënë dakord t’i japë Bosnjes statusin e kandidatit, vendim që u ratifikua nga Këshilli Evropian më 15 dhjetor.

Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare – COREPER II – vendosën të ecin përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, mundësisht nga 1 janari 2024. Kosova sapo

ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim. Pra duket se ka një vrull të ri në marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, integrimi do të vazhdojë, si zakonisht, në mënyrë graduale. Zgjerimet në formën e një “Big Bang”, si ai i 2004-ës janë një gjë e së kaluarës.

/albeu.com


Shtuar 17.12.2022 08:24