Ndërkohë që Rusia ka rimarrë iniciativën në Ukrainë duke marrë disa qyteza të Lindje, përfshi edhe Soledarin, shtetet e NATO-s po zgjerojnë ndihmat ndaj Kievit duke vendosur tashmë që të dërgojnë edhe tanke ta avancuara.
Me një vendim të orëve të fundit të kryeministrit Rishi Sunak, Britania e Madhe vendosi të dërgojë 12 tanke Challenger2 në Ukrainë.
Katër prej tyre do të dërgohen menjëherë dhe pritet që të futen shumë shpejt në operacione luftarake në lindje të vendit, kurse tetë të tjerë do të dërgohen pak ditë më pas, raporton Albeu.com.
Dërgimi i tankeve është një hap i radhës NATO-s për të ndihmuar Ukrainën me qëllim përballimin e agresionit rus.
Debati kryesor tashmë është edhe dërgimi i tankeve gjermane Leopard2, të cilët do të fitonin supremaci kundrejt teknologjisë së vjetër sovjetike të tankeve T80 apo T72 që Rusia po përdor aktualisht në Ukrainë.
Deri më tani kanë qenë gjermanët që nuk kanë lejuar shtetet e tjera të dërgojnë Leopardët e tyre në Ukrainë, megjithatë pritet që presioni të rritet edhe për shkak të sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj civilëve në Ukrainë duke bërë që Berlini të japë me në fund dritën jeshile. /albeu.com