Oksana Murasova, një 39-vjeçare nga Lituania, u vu në pranga pasi goditi me thikë partnerin e saj 50-vjeçar në Milano.
Megjithatë autoritetet gjyqësore vlerësuan se ajo mund të ketë vepruar në vetëmbrojtje, duke e liruar sërish.
Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi më 15 shkurt në një apartament në veri të Milanos. Sipas dëshmisë së gruas, gjatë një grindjeje partneri, ai e kishte goditur me grusht. Ajo u largua, por ai e ndoqi duke i zënë rrugën. Në atë moment, ajo mori një thikë kuzhine dhe e plagosi.
Sipas të dhënave, policia kishte ndërhyrë edhe më parë në banesën e çiftit për një episod dhune, por gruaja nuk kishte bërë kallëzim.
Murasova ka qenë e dënuar edhe më parë për vrasjen e partnerit të saj në vitin 2015 në Milano. Ajo u dënua me tetë vite burg dhe u arrestua në vitin 2019 pasi vendimi u bë i formës së prerë. Në atë rast, ajo kishte deklaruar se kishte vepruar pasi ishte dhunuar nga partneri i saj.
