Përplasje fizike të dhunshme kanë ndodhur në sallën e parlamentit të Serbisë, ku po diskutohej buxheti për vitin 2025. Tensionet nisën kur ligjvënësit e opozitës filluan të thërrisnin: “Vrasës, dorëhiquni”, me disa prej tyre që u përpoqën të ngjisnin postera me mbishkrimin “i keni duart të lara me gjak” në tryezën e kryetares së kuvendit, Ana Brnabiç.
Ky ka qenë dhe slogani i protestave të zhvilluara kundër qeverisë për ditë me radhë për tragjedinë që u mori jetën 15 personave nga shembja e një strehe prej betoni në Novi Sad. Pas vendosjes së posterave, ka pasur një shtyrje fizike nga deputetët e mazhorancës ndaj atyre të opozitës, ndërsa më pas kishte dhe rrahje me grushte.
Të lidhura
None found
Brnabiç thirri sigurimin për të ndaluar atë po ndodhte, por kaosi kishte pushtuar sallën. Ligjvënësit e pakicës përdorën dhe vuvuzela dhe mjete të tjera fishkëllyese për të bërë zhurmë. Ata kërkojnë shkarkimin e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviç, dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për ngjarjen në Novi Sad. Ligjvënësit e partive në pushtet, iu kundërpërgjigjen duke shpalosur një pankartë ku shkruhej: “hajdutët e verdhë duan luftë, Serbia do punë”.
Pas kësaj, deputetët e mazhorancës u larguan nga salla dhe kryeparlamentarja Brnabiç ndërpreu punimet. Ata u kthyen në sallë sërish, por situata nuk ndryshoi. Në një konferencë për shtyp, kryeparlamentarja Ana Brnabiç kritikoi deputetët e opozitës duke pretenduar se skena të tilla janë parë vetëm në vitin 2000 kur u dogj parlamenti.
“Disa njerëz në Prishtinë i dëshirojnë sjellje të tilla përfshirë edhe kryeministrin, Albin Kurti”, u shpreh ajo.
