Dodik gjendet në Izrael derisa për të është lëshuar urdhër-arrest në Bosnje e Hercegovinë

Millorad Dodik, president i Republika Sërpska, me shumë gjasa ka udhëtuar në Izrael, ku po merr pjesë në një konferencë për luftën kundër antisemitizmit, ndërsa për të është lëshuar një urdhërarrest në Bosnje dhe Hercegovinë.

Aeroplani i qeverisë së Republikës Sërpska u ul në aeroportin e Tel Avivit derisa ishte nisur nga Beogradi të martën.

Dodik ishte në Beograd një ditë më parë, e policia kufitare e Bosnjë-Hercegovinës njoftoi se po kryen një hetim për kalimin e kufirit shtetëror nga Millorad Dodik.

Dodik u rendit si një nga folësit në konferencën e organizuar nga Ministria e Çështjeve të Diasporës së Izraelit.

Përveç Dodik, folës në konferencë janë edhe të djathtët francezë, presidenti argjentinas Javier Milei, kryeministri dhe presidenti izraelit, Benjamin Netanyahu dhe Isaac Herzog dhe të tjerë.

Komisioneri gjerman për çështjet hebraike Felix Klein anuloi pjesëmarrjen e tij në konferencë, u konfirmua më herët.

“Kur Felix Klein pranoi ftesën disa muaj më parë, ai nuk ishte në dijeni se kush do të merrte pjesë në konferencë”, tha Zyra e Komisionerit.

Që Dodik nuk duhet të marrë pjesë në një konferencë të tillë është mendimi i Eli Tauber, themelues i Shoqatës “Haggadah”, historian dhe anëtar i komunitetit hebre në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai i tha Evropës së Lirë në edicionin e gjuhës serbe se ata që e ftuan duhet ta kenë ditur se kush ishte dhe çfarë bëri.

“Nëse ata e kanë anashkaluar me qëllim ose rastësisht, unë nuk do të hyj në këtë, atëherë faji është krejtësisht i tyre”, thotë ai.

Gjithashtu, ai beson se qëllimi i Dodik është që t’i paraqesë gjërat në BeH ashtu siç dëshiron ai, duke përfshirë pikëpamjet e zyrtarëve më të lartë nga Republika Sërpska në të cilat ata pretendojnë se në BeH, ekziston një politikë që mbështet Hamasin.


Shtuar 25.03.2025 17:07

Tags: ,