Djali plëngprishës i NATO-s nuk po rikthehet drejt Perëndimit

Nga Selim Koru “War On the Rock

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në pamje të parë u duk se samiti vjetor i NATO-s në Vilnius shkoi mirë. Për kënaqësinë e aleatëve, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan njoftoi përmes mediave se do ta çonte në parlament kërkesën e Suedisë për anëtarësimin në aleancë, dhe se do të mbështesë ratifikimin e saj.

Pranimi i Suedisë mund të mbetet peng për muaj më radhë në parlamentin turk. Gjithsesi deklarata e Erdogan bëri bujë në media. “Kthesa e Erdogan mbi Suedinë, sinjalizon përmirësimin e lidhjeve me SHBA-në”- thuhej në një analizë të New York Times.

“Ndryshimi i qëndrimit të Turqisë ndaj kërkesës së Suedisë për të hyrë në NATO e forcon unitetin e aleancës”- shkroi Bloomberg. Pra dukej se më në fund Turqia po distancohej nga Rusia dhe po kthehej drejt Perëndimit. Por historia e viteve të fundit ka treguar se kjo është një narrativë shumë joshëse.

Analistët spekuluan se Turqia mund të “rikthehet drejt Perëndimit” që pas krizës së Gazës në vitin 2010, Pranverës Arabe në vitin 2011, rigjallërimit të rivalitetit Iran-Turqi në vitin 2011, ngritjes së Shtetit Islamik në vitin 2015 dhe vrasjes së ambasadorit rus në Turqi në vitin 2017.

Po kështu të njëjtën analistë shpresuan të njëjtën gjë edhe kur Erdogan fitoi një mandat tjetër në vitin 2018 , humbi zgjedhjet lokale të 2019-ës, dhe u rizgjodh sërish në maj të këtij viti, për të mos harruar edhe momentin kur Joe Biden u zgjodh president i SHBA në 2020-ën.

Anasjelltas, pretendohej se ishte vetëm çështje kohe derisa “marrëdhënia vëllazërore” midis Erdogan dhe presidentit rus Vladimir Putin do t’i linte vendin statusit të “mikut-armik”. Logjika ishte se tek e fundit raportet ruso-turke nuk ishin formësuar nga “parimet e ngjashme ideologjike”, por nga realitetet gjeopolitike, të cilat në fund do ta rikthenin Turqinë tek aleatët e saj në NATO. Po ashtu mëtohej se edhe arsyeja ekonomike është ajo që po e shtyn sërish Turqinë drejt Perëndimit, me paralajmërimin se Ankaraja është e angazhuar në një “sjellje të balancuar” me Rusinë, furnizuesen më të madhe të Turqisë me energji.

Shpresa më e madhe ishte pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022. Provë ishin dronët “Bayraktar” që goditën forcat e blinduara ruse. Po pse kaq shumë analistë mbeten vazhdimisht aq optimistë? Le ta shpjegojmë këtë me tezën e “gabimit të djalit plëngprishës”. Ai bazohet në besimin se ndonëse Turqia është zhvendosur vitet e fundit larg Perëndimit, në një moment ajo do të rikthehet tek aleatët e NATO-s.

Teza e “gabimit të djalit plëngprishës” bazohet në një ide të vjetër mbi gjeopolitikën osmano-turke. Ajo supozon se Turqia është më e dobët sesa fqinja e saj, Rusia, e cila është shumë më e madhe, më e pasur dhe më ambicioze, dhe që ka pasur plane aneksimi të territoreve osmane dhe turke.

Ndaj për të mbrojtur veten, për shekuj me radhë Turqia është bërë aleate me fuqitë perëndimore. Sipas këtij këndvështrimi, marrëdhënia e ngushtë Erdogan-Putin dhe tensionet me Perëndimin janë një anomali në hapësirën më të gjerë të historisë. Dhe se në fund, ligjet e gjeopolitikës do të ripohojnë vetveten dhe struktura shekullore e aleancës do të kthehet ashtu siç ka qenë.

Por analogjia e djalit plëngprishës, është jashtë realitetit politik të kohës sonë. Ajo që i mungon kësaj mendësie është se ndërsa llogaritjet gjeopolitike janë të rëndësishme, vendet kanë kultura të ndryshme politike dhe për pasojë i perceptojnë llogaritë në mënyra të ndryshme.

Sot, synimi i Turqisë nuk është të ketë një sjellje të balancuar ndaj Rusisë. Ajo duhet të

jetë e dallueshme, dhe përfundimisht e pavarur nga aleatët e saj perëndimorë. Kësisoj, përllogaritjet e Erdoganit kanë më shumë kuptim, dhe rikthimi i Turqisë drejt Perëndimit duket shumë më pak i mundshëm.

Teza e gabimit të përkohshëm të djalit plëngprishës, mbështetet tek një sërë supozimesh, ku asnjëri nuk i përshtatet qasjes që ka pasur Erdogan ndaj hyrjes së Suedisë në NATO gjatë 2 viteve të fundit. Ka pasur pretendime se Turqia po e shtyn procesin me arsye të sajuara me urdhër të Putinit.

Ne nuk mund ta dimë vërtet nëse Erdogan dhe Putin kanë folur hapur midis tyre për zgjerimin e NATO-s. Por nëse do ta bënin këtë, me siguri që Finlanda, që ka një kufi 1340 km me Rusinë, do të kishte qenë më e rëndësishme sesa Suedia. Por Turqia i dha shumë shpejt Finlandës dritës jeshile, dhe më pas mbajti peng kërkesën e Suedisë.

Pse? Sepse Suedia ka një diasporë kurde shumë aktive në aspektin politik, shumë prej të cilëve e mbështesin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Por do të ishte shumë e vështirë të argumentohej se goditja e tyre, siç ka kërkuar Ankaraja, do të ndryshonte sigurinë e Turqisë. Sepse PKK nuk ka organizuar sulme në qytetet kryesore turke që nga viti 2015, kur ushtria turke ka ushtruar presion mbi të përtej kufirit jugor të vendit. Problemi më i madh i Turqisë, është se diaspora e majtë kurde është e përfaqësuar gjerësisht në të gjithë Evropën dhe po bëhet e spikatur në politikën e vendeve si Gjermania dhe Holanda.

Për shembull, ka shumë gjasa që kryeministri holandez në largim të zëvendësohet nga Ministri i Drejtësisë Dilan Yeşilgöz, i cili është më origjinë nga provinca kurde Dersim. Turqia është e alarmuar se kjo jo vetëm që do të intensifikojë përhapjen e qëndrimeve antiturke në kontinent, por edhe sepse këtë qasje nuk mund ta ndryshojë as presioni ndaj Suedisë.

Gjithsesi, politika e Erdogan ka kuptim në një aspekt tjetër. Për dekada të tëra, Perëndimi, dhe sidomos Evropa, ka luajtur rolin e vendosëses të standardeve në Turqi, duke miratuar ose dënuar ngjarjet në vend sipas parimeve të saj gjerësisht liberal-demokratike.

Projekti politik i Erdogan aspiron që të kthejë përmbys marrëdhënien Lindje-Perëndim. Pra ai dëshiron që të jetë Turqia ajo që vendos standarde për vendet perëndimore, dhe t’i gjykojë ato për zbatimin e tyre dhe t’i shpërblejë ose ndëshkojë në përputhje me rrethanat. Aplikimi i Suedisë në NATO ishte vetëm një nga rastet.

Kushdo që ndiqte narrativën në Turqi, e kuptoi se tani ishte radha e Turqisë që të tundte “shkopin” dhe të varte “karotën”, dhe që Stokholmi të vepronte më shumë si Ankaraja.

Hilal Kaplan, gazetare e njohur turke që e shoqëroi Erdoganin në samitin e Madridit në vitin 2022, shkroi:”Dy vende të fuqishme evropiane si Suedia dhe Finlanda, kanë rënë dakord të rregullojnë ligjet e tyre mbi terrorizmin në një mënyrë që do ta kënaqë Turqinë”.

Dikur Bashkimi Evropian ishte përpjekur ta detyronte Turqinë të ndryshonte ligjet e saj kundër terrorizmit, por tani situata ishte përmbysur. Suedia u përpoq të kënaqte Ankaranë, por vetëm deri në një pikë. Ajo reformoi ligjet e saj anti-terror në një mënyrë që ua bëri jetën paksa më të vështirë mbështetësve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Por Turqia donte të shihte ekzekutimin dhe veçanërisht goditjet e stilit turk ndaj protestave në rrugë, gjë që Suedia nuk ishte e përgatitur ta bënte. Është kjo arsyeja pse djegia e Kuranit u shndërrua në një pengesë të re. Marrëveshja e Madridit nuk parashikonte se dy vendet evropiane nuk do të lejonin përdhosjen e teksteve të shenjta në territoret e tyre.

Por Erdogan ndoshta ka menduar se ai akt ishte një simbol i mungesës së sinqeritetit të Suedisë. Erdogan iu dorëzua aleatëve të NATO-s në Vilnius sepse as “karota” dhe as “shkopi” nuk i përkisnin vërtet atij. NATO ishte, është dhe do të jetë një zgjatim i fuqisë amerikane. Ashtu si institucionet e tjera të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet e saj anëtare janë nominalisht të barabarta dhe për këtë arsye kanë të drejta si fuqia e vetos.

Megjithatë, në fund të ditës janë Shtetet e Bashkuara ato që e udhëheqin aleancën dhe përcaktojnë drejtimin e saj. Në një kohë kur Rusia po duket më e dobët dhe kur uniteti i aleancës është i lartë, Erdogan duhet të ketë llogaritur se vazhdimi i lojës së tij do t’i kishte acaruar shumë aleatët.

Kohët e fundit, analistët që shpresojnë rikthimin e Turqisë drejt Perëndimit janë përpjekur shpeshherë ta kuptojnë Erdoganin në një binar midis “ideologjikes” dhe “racionales/ pragmatike”. Për ta, ideologjia nënkupton një revolucion të stilit iranian, ndërsa racionaliteti apo pragmatizmi nënkupton bashkëpunimin me Perëndimin, në mos një rikthim të plotë të djalit plëngprishës.

Por kjo shpesë është shumë mashtruese. Vendet mund të jenë shumë racionale në lidhje me ndjekjen e qëllimeve që të tjerët mund t’i konsiderojnë si ideologjike, apo edhe radikale. Por nëse dikush arsyeton nga parimet e nacionalizmit turk siç ekzistojnë sot, kërcënimi më i madh për sovranitetin e Turqisë nuk është Rusia por Perëndimi.

Dhe për ta zbutur këtë kërcënim, Turqia duhet të zhvillojë aftësi për të qëndruar më vete, për të zgjeruar ndikimin e saj global, dhe për të zbutur shqetësimet amerikane për një aleat të padisiplinuar, derisa një ditë të mundet të qëndrojë në këmbët e veta. Edhe sa i përket pikëpamjes së tij globale, Erdogan është kundër dominimit gjeopolitik perëndimor.

Ai ka qenë i tillë që në rini, dhe kjo qasjen përbën vetë thelbin e regjimit që ai ka ndërtuar. Është kjo arsyeja pse ai dëshiron të gjejë gradualisht alternativa ndaj varësive të Turqisë nga tregjet dhe teknologjia perëndimore. Erdogan ka hequr dorë nga paratë evropiane dhe po bën udhëtime të shpeshta në Gjirin Persik për të thithur investime të reja.

Marrë me shkurtime

Shënim:Selim Koru, analist në Fondacionin e Kërkimeve mbi Politikat Ekonomike dhe bashkëpunëtor i Detit të Zi në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme.


Shtuar 1.08.2023 14:02

Tags: