Ndërsa në Gjenevë vazhdojnë diskutimet mbi planin amerikan prej 28 pikash për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar publikisht Volodymyr Zelenskyn përmes një postimi në platformën Truth Social.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi: “drejtimi i Ukrainës nuk ka shprehur asnjë lloj mirënjohjeje për përpjekjet tona, dhe Evropa vazhdon të blejë naftë nga Rusia.”
Më tej, ai shprehet se trashëgoi nga Biden një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe që është humbje për të gjithë.
“Unë trashëgova një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, një luftë që është humbje për të gjithë, veçanërisht për milionat e njerëzve që kanë vdekur pa nevojë”, shtoi ai më tej.
Deklarata vjen ndërsa në Gjenevë vijojnë bisedimet mes delegacioneve të SHBA-së, Ukrainës dhe aleatëve evropianë për planin e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.
Më herët, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se tashmë ekziston një mirëkuptim që plani i paqes i propozuar nga SHBA mund të marrë parasysh interesat kombëtare të Ukrainës.
Ai shtoi se puna po vazhdon për t’u siguruar që “të gjitha elementet të jenë vërtet efektive në arritjen e qëllimit kryesor, t’i jepet fund përfundimisht gjakderdhjes dhe luftës”.
Zelensky thekson se këto bisedime synojnë “gjetjen e zgjidhjeve të zbatueshme”.
Ndërkohë, liderët evropianë kanë kritikuar planin prej 28 pikash, i cili konsiderohet gjerësisht si i favorshëm për Rusinë.
Postimi i plotë i Trump-it:
“Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është një luftë e dhunshme dhe e tmerrshme e cila, me UDHËHEQJE të fortë dhe të drejtë nga SHBA dhe Ukraina, NUK DO TË KISHTE NDODHUR ASNJËHERË. Filloi shumë përpara se të merrja mandatin tim të dytë, gjatë administratës së Sleepy Biden, dhe vetëm sa është përkeqësuar.
Nëse zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 nuk do të kishin qenë të manipuluara dhe të vjedhura – e vetmja gjë në të cilën janë të mirë radikalët demokratë të majtë – nuk do të kishte luftë mes Ukrainës dhe Rusisë, ashtu siç nuk pati, madje as përmendje, gjatë mandatit tim të parë.
Putin nuk do të kishte sulmuar kurrë! Vetëm kur pa Sleepy Joe në veprim tha: ‘Tani është shansi im!’ Pjesa tjetër është histori, dhe kështu vazhdon.
Unë trashëgova një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, një luftë që është humbje për të gjithë, veçanërisht për miliona njerëzit që kanë humbur jetën pa nevojë.
‘Udhëheqja’ e Ukrainës nuk ka shprehur kurrfarë mirënjohjeje për përpjekjet tona, dhe Evropa vazhdon të blejë naftë nga Rusia. SHBA vazhdon të shesë sasi të mëdha armësh për NATO-n, për t’u shpërndarë në Ukrainë (Joe i korruptuar ua dha gjithçka falas, falas, falas, përfshirë edhe ‘shuma të mëdha’ parash!). Zoti i bekoftë të gjitha jetët e humbura në këtë katastrofë njerëzore!
Presidenti DJT.”
