Deputetja përjashtohet nga Parlamenti i Zelandës së Re pasi kërkon ndëshkimin e Izraelit

Deputetja në Zelandën e Re, Chloe Swarbrick, u urdhërua që të largohej nga Parlamenti gjatë një debati të nxehtë lidhur me përgjigjen e Qeverisë sa i përket palestinezëve.

Debati parlamentar u thirr pasi Qeveria e qendrës së djathtë tha se po peshon qëndrimin e saj nëse duhet të njohë ose jo një shtet palestinez.

Aleatja e ngushtë, Australia, të hënën iu bashkua Francës, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke njoftuar se do të njohë shtetin palestinez në shtator, kur do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Swarbrick, bashkëudhëheqëse e Partisë së Gjelbër, tha se Zelanda e Re është “vonuar” dhe mungesa e marrjes së një vendimi është e papranueshme, duke kërkuar nga anëtarët e Qeverisë që të mbështesin një projektligj “për të sanksionuar Izraelin për krime të luftës”.

Ky projektligj ishte propozuar nga partia e saj në mars dhe është mbështetur nga të gjitha partitë opozitare.

“Nëse ne gjejmë gjashtë nga 68 deputetët e Qeverisë që kanë shtyllë kurrizore, ne mund të jemi në anën e drejt të historisë”, tha Swarbrick.

Kryeparlamentari Gerry Brownlee thse kjo deklaratë ishte “krejtësisht e papranueshme”, duke i kërkuar deputetes që të tërheqë këto fjalë dhe të kërkojë falje.

Swarbrick refuzoi të bëjë një gjë të tillë dhe më pas u urdhërua që të largohej nga Parlamenti.


Shtuar 12.08.2025 10:14