Një delegacion dypartiak i senatorëve amerikanë ka bërë një vizitë zyrtare në Hungari dhe i bëri thirrje qeverisë hungareze të miratojë menjëherë kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO. Hungaria është vendi i vetëm në NATO që nuk ka ratifikuar kërkesën e Suedisë.
Delegacioni amerikan ka njoftuar se do të paraqesë një rezolutë në Kongres për të kritikuar hapat e fundit të qeverisë hungareze dhe për të bërë thirrje për mos pengimin e integrimit euro-atlantik të Suedisë.
“Me ratifikimin, Hungaria dhe kryeministri juaj do t’i bënin një shërbim të madh vendeve liridashëse në mbarë botën”, tha senatori republikan Thom Tillis, gjatë një konference për shtypin në ambasadën amerikane në Budapest.
Rezoluta, e njoftuar fillimisht të dielën nga agjencia e lajmeve Associated Press, është hartuar nga senatori Tillis dhe senatorja demokrate Jeanne Shaheen. Së bashku me ta në delegacionin në Budapest ishte edhe senatori demokrat Chris Murphy.
Më herët këtë muaj, senatori demokrat Ben Cardin, kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, përmendi mundësinë e vendosjes së sanksioneve Hungarisë për shkak të sjelljes së saj dhe e quajti zotin Orban “anëtarin më pak të qëndrueshëm të NATO-s”.
Në projek-trezolutë, senatorët vënë në dukje “rolin e rëndësishëm që mund të ketë Hungaria për sigurinë evropiane dhe trans-atlantike”, por përmendin se nuk ajo iu përmbajt zotimit për të mos mbetur vendi i fundit në NATO që do të miratonte anëtarësimin e Suedisë.
Rezoluta thotë se Hungaria “nuk iu bashkua vendeve të tjera anëtare të NATO-s për të miratuar pranimin e Suedisë në NATO, duke mos përmbushur kështu një zotim se nuk do të ishte e fundit që do ta miratonte këtë anëtarësim dhe duke rrezikuar kështu sigurinë trans-atlantike në një moment kyç për paqen dhe stabilitetin në Evropë”.
Zoti Orban, një nacionalist i vendosur që ka udhëhequr Hungarinë që nga viti 2010, ka thënë se është në favor të anëtarësimit të Suedisë në NATO, por se ligjvënësit e partisë së tij vazhdojnë të mos jenë të bindur për shkak të “gënjeshtrave flagrante” të politikanëve suedezë për gjendjen e demokracisë në Hungari.
Megjithatë, në një fjalim të rëndësishëm në Budapest të shtunën, zoti Orban sinjalizoi se parlamenti hungarez mund të ndryshojë mendim së shpejti.
“Është lajm i mirë që mosmarrëveshja jonë me Suedinë po i afrohet një konkluzioni”, tha ai. “Po lëvizim drejt ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO në fillim të sesionit parlamentar të pranverës”.
Të dielën, senatorja Shaheen tha se ishte “zhgënjyese” që asnjë prej anëtarëve të qeverisë hungarezë nuk kishin pranuar ftesën për t’u takuar me delegacionin amerikan, por tha se ka shpresë dhe optimizëm se anëtarësimi i Suedisë do të shqyrtohej më 26 shkurt kur legjislatura hungareze të rifillojë punën.
Senatori Murphy tha se refuzimi i qeverisë së zotit Orban për takim ishte “i çuditshëm dhe shqetësues”, por se barra i mbetet udhëheqësit hungarez që ta nxisë parlamentin të votojë për ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë.
“Kemi njohuri të mjaftueshme për politikën e këtushme për ta ditur se nëse kryeministri Orban dëshiron që kjo të ndodhë, atëherë parlamenti do të veprojë”, tha ai.
Projekt-rezoluta e senatorëve kritikon marrëdhëniet gjithnjë e më të ngrohta të zotit Orban me Rusinë dhe Kinën, dhe vë në dukje se ndërsa Hungaria ka hapur dyert për refugjatët ukrainas që i largohen sulmit të Rusisë, ajo gjithashtu “u ka rezistuar dhe i ka dobësuar sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Federatës Ruse”.
Zoti Orban, i cili konsiderohet gjerësisht si aleati më i ngushtë i Kremlinit në Bashkimin Evropian, është kritikuar prej kohësh për moszbatim të standarteve të unionit për demokracinë dhe funksionimin e shtetit ligjor. Bashkimi Evropian ka pezulluar miliarda dollarë fonde për Budapestin për shkak të shkeljes së rregullave të unionit.
Qeveria e Hungarisë ka marrë gjithashtu një përqasje gjithnjë e më konfliktuale ndaj administratës së Presidentit Joe Biden, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara për përpjekje për të influencuar jetën publike hungareze.
Peter Szijjarto, ministër i Jashtëm i Hungarisë, tha të premten se mirëpret vizitën e senatorëve, por se “nuk ia vlejnë përpjekjet për të ushtruar trysni ndaj nesh, pasi ne jemi një vend sovran”.
“Gëzohemi që vijnë këtu pasi munden ta shohin vetë se gjithçka kanë lexuar për Hungarinë në mediat liberale amerikane janë një gënjeshtër flagrante”, tha zoti Szijjarto.