Çmontohet banda e priftërinjve në Greqi, bashkëpunonin me shqiptarët për trafikun e drogës/ Njëri prej tyre ‘Youtuber’ si kuzhinier, model dhe muzikant

Policia greke ka çmontuar një grup priftërinjsh që ishin implikuar në një rrjet të trafikut të kokainës, duke bashkëpunuar me një organizatë shqiptare.

Një prej tyre, 46-vjeçar, kur nuk kryente aktivitet kriminal, njihej si “Youtuber” ku publikonte video dhe foto si model, këngëtar dhe kuzhinier.

Ai është një nga tre priftërinjtë e arrestuar gjatë një operacioni të madh policor që synonte shpërbërjen e një organizate kriminale që trafikonte sasi të konsiderueshme kokaine dhe marijuane, si dhe emigrantë të paligjshëm.

Tre burrat punonin me një grua 52-vjeçare, e cila ishte gjithashtu kreu i bandës, dhe një burrë 42-vjeçar, të dy me origjinë shqiptare. Sipas akuzave që rëndojnë mbi ta, klerikët luanin rolin e “transportuesit”. Në të njëjtën kohë, ata ishin përgjegjës për ruajtjen dhe trafikimin e mëtejshëm të drogës.

Hetimi i Agjencisë Kundër Drogës zbuloi se autorët e krimit fshihnin drogë edhe brenda një kishe në Rrugën Liosion, ndërsa i dyti prej tyre po trafikonte në oborrin e kishës. Duke përfituar nga pozicioni i tij, edhe prifti i tretë ishte marrë me trafikimin dhe transportimin e emigrantëve.

Sipas provave në dosjen e çështjes, prifti 46-vjeçar ruante dhe shiste drogë në Kishën që funksiononte në rrugën Liosion. Kishte raste kur ai dilte nga kisha i veshur me rrobat e tij dhe u shiste drogë klientëve të rrjetit.

Prifti i dytë, 40-vjeçar, u arrestua në Rodos kur mori një valixhe që përmbante 2 kilogramë e 188 gramë kokainë të cilën më pas ja dorëzoi një shqiptari 38-vjecar.

Ndërsa prifti 52-vjeçar ndodhet i burgosur në burgun e Komotinit, pasi u arrestua më 6 shtator për transportimin e emigrantëve të parregullt.

Ai u gjet në kilometrin e 1-rë të rrugës kombëtare Kalcha – Siderades në Rodope, nga oficerë policie të Departamentit të Rojës Kufitare të Sapës, duke transportuar gjashtë emigrantë të parregullt, që kishin hyrë ilegalisht nga kufiri greko-turk me një makinë.

Media greke informon se prifti jashtë aktivitetit të tij fetar merrej edhe si YouTuber, nga model në pasarela, vëmendje televizive dhe emisione gatimi apo muzikë, duke përfunduar në drogë dhe arrestim.

Gjatë hetimeve të kryera, u gjetën dhe sekuestruan kokainë me peshë 2,238 gramë, kanabis i papërpunuar me peshë 9,092.6 gramë, si dhe shuma prej 4,380 eurosh dhe 24,500 lekësh shqiptarë.


Shtuar 9.11.2025 21:12