Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të presë të hënën në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ftesë kjo që vjen pas takimit të Trump dhe Vladimir Putin në samitin e Alaskës.
SHBA është negociuesi kryesor për arritjen e armëpushimit mes Rusisë dhe Ukrainës. Referuar mediave ndërkombëtare, Trump ka parë si zgjidhjen më të shpejtë të konfliktit shkëmbimin e territoreve mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Trump u ka thënë udhëheqësve evropianë të mbështesin një plan për të vënë fund luftës në Ukrainë duke i dorëzuar Rusisë territoret që nuk janë pushtuar, në vend që të përpiqen për një armëpushim,” shkruan Neë York Times.
Pas takimit me Vladimir Putinin, Trump ka hequr dorë nga kërkesa për një armëpushim të menjëhershëm dhe sipas Neë York Times tani mendon se është e mundur të negociohet një marrëveshje paqeje e shpejtë nëse Zelensky pranon të dorëzojë pjesën tjetër të Donbasit, përfshirë edhe zonat që nuk janë pushtuar nga rusët.
Si shkëmbim, Putin ka ofruar një armëpushim në pjesën tjetër të Ukrainës, përgjatë linjave aktuale të frontit, dhe një premtim me shkrim që të mos sulmojë më Ukrainën apo ndonjë vend tjetër evropian. Gjatë bisedës me evropianët, Trump nuk përmendi asnjë sanksion apo presion ekonomik ndaj Rusisë.